Hën. Mar 2nd, 2026

Nga Lindja e Mesme deri në Kosovë: Si u bë Bondsteel temë pas ngjarjeve në Iran?

“Mos e gjyko, godite Bondsteel-in” ose “Ja edhe një bazë amerikane! Faleminderit paraprakisht”, janë disa nga komentet që qarkullojnë në kanalet e aplikacionit Telegram dhe në rrjete të tjera sociale që nga 28 shkurti, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i nisën sulmet kundër Iranit.

Kampi Bondsteel, i cili ndodhet pranë Ferizajt në Kosovë, është baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan.

Në disa grupe në Telegram, të cilat kanë nga 10.000 deri mbi 80.000 ndjekës, publikohen edhe harta me vendndodhjen e shënuar të Bondsteel-it, të shoqëruara me komente si “Ky është kërcënimi më i madh për Iranin aktualisht”, ose harta të rrezes së raketave balistike iraniane me fokus në Kosovë, me përshkrimin “Thjesht bëje”.

Një nga kanalet më të vizituara të ekstremit të djathtë në Serbi në Telegram, “Bunt je stanje duha”, më 1 mars publikoi edhe koordinatat e kampit Bondsteel në Kosovë me tekstin: “Thonë se ne jemi ata ekstremistët dhe se duhet të na vijë turp që duam ta shohim Bondsteel-in në flakë”.

Ky postim deri në publikimin e tekstit kishte pothuajse 18.000 shikime.

Ndryshe, shumica e kanaleve në Telegram në gjuhën serbe janë krijuar pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ndërsa postimet janë qartazi proruse, duke kritikuar ashpër çdo bashkëpunim me vendet perëndimore.

Në tri ditët e fundit ato po ndjekin në kohë reale edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme?

SHBA-ja dhe Izraeli më 28 shkurt nisën një operacion ndaj objektivave të rëndësishme në Iran, përfshirë objekte ushtarake iraniane dhe rezidenca të zyrtarëve më të lartë të vendit.

Në këtë operacion, të cilit i parapriu disa javë tensionesh dhe grumbullim i përshpejtuar i forcave ushtarake amerikane, u vra udhëheqësi suprem iranian, ajatollah Ali Khamenei. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi gjithashtu se 48 liderë iranianë u vranë në sulme, si dhe se sulmet mund të zgjasin katër javë.

Nga ana tjetër, Irani nisi sulme ndaj objekteve ushtarake amerikane dhe perëndimore si dhe ndaj lokacioneve civile në Izrael, Gjirin Persik dhe vende të tjera, ndërsa Izraeli iu kundërpërgjigj me sulme ndaj pozicioneve të Hezbollahut në Liban.

Ndërkohë, administratorët e kanalit “Koridor”, i cili ka 11.000 ndjekës, theksuan në një postim në Telegram se nuk do të “transmetojnë lajme për këtë luftë nëse nuk ka ndonjë lajm domethënës, si për shembull që është goditur Bondsteel, sepse, thjesht, si njëra palë, ashtu edhe tjetra kanë vrarë serbë, kështu që me gjithë zemër dëshirojmë të zhduken të dyja palët”.

Më herët edhe në këtë kanal janë publikuar koordinatat e kampit Bondsteel me përshkrimin: “Koordinata për iranianët, këtu jeton [kryeministri izraelit Benjamin] Netanyahu dhe të gjithë armiqtë tuaj”.

Të dielën në mbrëmje u shpërndanë sërish të njëjtat koordinata, së bashku me një fotografi të rrezes së raketave balistike iraniane dhe me komentin: “Nuk e arrini dot, apo? Hajde pra, ta shohim”.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *