Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka njoftuar modelin e ri të pagave, të quajtur “Euro Model”, i cili pritet të zbatohet nga janari i vitit 2027.
Sipas Spajiqit, paga minimale për punonjësit me arsim fillor ose më të ulët do të jetë 1,000 euro, për ata me arsim të mesëm 1,250 euro, ndërsa për punonjësit me arsim të lartë 1,400 euro neto në muaj.
Qeveria synon që reforma të përfshijë mbi 250 mijë të punësuar, duke parashikuar rritje pagash edhe për ata që aktualisht marrin më shumë se paga minimale. Spajiq tha se, me të njëjtën kosto për punëdhënësin, një pagë neto prej 1,600 eurosh mund të rritet në rreth 1,870 euro.
Sipas kryeministrit malazias, reforma do të shoqërohet me ulje të barrës tatimore mbi pagat dhe do të financohet përmes rritjes së konsumit dhe punësimit, luftës kundër ekonomisë informale dhe masave të tjera fiskale.
Spajiç njoftoi gjithashtu se nga viti 2027 pensionet do të indeksohen katër herë në vit, ndërsa pensioni mesatar pritet të kalojë 600 euro dhe pensioni minimal mbi 500 euro. Ai bëri të ditur se në dhjetor të këtij viti çdo pensionist do të marrë një pagesë shtesë prej 100 eurosh.
Sipas parashikimeve të qeverisë, reforma pritet ta çojë pagën mesatare neto në Mal të Zi nga rreth 1,000 euro në mbi 1,400 euro.

