Pre. Dhj 19th, 2025

Në Prishtinë u hap ekspozita “Kujtesa në fotografi – xhamitë e shkatërruara në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë gjatë viteve ’90, sakralocid i planifikuar”, e organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës në bashkëpunim me Rijasetin e Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Kjo ekspozite dokumenton shkatërrimin e trashëgimisë fetare dhe kulturore gjatë viteve ’90, si pjesë e një strategjie të qëllimshme për fshirjen e identitetit fetar, kulturor dhe historik të myslimanëve në Ballkan.
Drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese pranë Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Ramadan Shkodra, tha se kjo ekspozitë paraqet një akt të rëndësishëm në kujtesën historike dhe reflektimin shoqëror.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, tha se ekspozita pasqyron një kapitull të dhimbshëm të historisë së përbashkët të Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, që synoi zhdukjen fizike e kulturore e popujve. Ai theksoi po ashtu tha se ajo që ka ndodhur nuk duhet të harrohet asnjëherë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, z. Albin Kurti tha Bashkësia Islame e Kosovës është një shtyllë e rëndësishme për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare, duke nënvizuar rolin e saj të veçantë në dokumentimin rreth shkatërrimit të objekteve kulturore islame.
Myfti i Gorazhdës, Remzija ef. Pitič, në fjalën e tij u fokusua te vendi dhe roli i xhamive në kulturën e myslimanit ku mes tjerash tha se ne e dimë që xhamitë tona nuk u shkatërruan nga individë të dehur, grupe apo administrata për qëllime të ndryshme. Ne e dimë që ishte një pjesë integrale e sistemit, politika nga nivelet më të larta, me qëllim shkatërrimin e simboleve tona më të fuqishme.
Kurse përfaqësuesi nga Rijaseti i Bashkësisë Islame të Bosnjës tha se boshnjakët dhe shqiptarët janë dy kombe evropiane që kanë pasur një fat të ngjashëm gjatë gjithë historisë. Pavarësisht vështirësive që kaluan, forca e shpirtit të tyre dhe vendosmëria për të jetuar në tokën e tyre, ishin udhërrëfyeset e tyre të vazhdueshme.
Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame në Prishtinë, prof. Sabri ef. Bajgora, i cili është edhe autor i fotografive të xhamive të shkatërruara gjatë luftës në Kosovës foli për periudhën kur ishte dëshmitar i zhvillimeve makabre në Kosovë. Ai tha se fushata shkatërrimtare e forcave serbe u zhvillua pa respektuar asnjë normë morale, juridike apo ndërkombëtare.
“Kujtesa në fotografi” synon të ruajë të vërtetën historike, të nxisë reflektim dhe të kujtojë pasojat e rënda që shkatërrimi i trashëgimisë kulturore dhe fetare lë mbi një shoqëri dhe identitetin e saj.
Në Bosnje dhe Hercegovinë u shkatërruan qindra objekte fetare, përfshirë mbi 600 xhami, ndërsa në Kosovë u dëmtuan ose u rrënuan më shumë se 200 xhami, së bashku me medrese, teqe dhe objekte të tjera vakëfnore.
Në maj të vitit 2026 kjo ekspozitë do hapet edhe në Sarajevë. Po ashtu pritet që ekspozita t’i tejkalojë kufijtë mbarë shqiptar për t’u shfaqur edhe në vende të ndryshme të botës.
Në Kosovë kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për një javë.

Kliko ketu per videon e plote

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *