Pre. Sht 11th, 2026

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të vazhdojë sot gjykimi për vrasjen e rëndë të policit Triumf Riza

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë pritet të vazhdojë sot gjykimi ndaj Ilir Abdullahut, i njohur si “Liza”, dhe Rrahim Abdullahut, i njohur si “Rrumqi”, të akuzuar për vrasjen e rëndë të policit Triumf Riza.

Seanca e paraparë për 24 korrik kishte dështuar për shkak të mungesës së njërit prej anëtarëve të trupit gjykues, ndërsa vazhdimi ishte caktuar për sot.

Ilir dhe Rrahim Abdullahu akuzohen nga Prokuroria Speciale se, në bashkëkryerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun dhe Enver Sekiraqën, kanë marrë pjesë në vrasjen e policit Triumf Riza më 30 gusht 2007 në Prishtinë.

Rrahim Abdullahu ishte dënuar në vitin 2015 me katër vjet e 11 muaj burgim për dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale, pasi Gjykata e kishte rikualifikuar akuzën. Ky aktgjykim ishte anuluar nga Apeli dhe çështja ishte kthyer në rigjykim.

Ndërkaq, Ilir Abdullahu, i cili kishte qenë në kërkim për rreth 15 vjet, ishte arrestuar në korrik të vitit 2023. Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tij në shtator të vitit 2024.

Në shkurt të vitit 2025, Gjykata i bashkoi çështjet penale ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut për t’i trajtuar në një proces të vetëm.

Postime të Ngjashme