Pre. Shk 6th, 2026

Në Britani, Epsteini do të mbahet mend si skandal edhe më i madh se Afera Profumo

Burimi: The Independent
Aktualisht, Peter Mandelsoni është mbyllur në një shtëpi – në një pronë në Uiltshir të një miku të pasur – bashkë me karrierat e tij të shkatërruara politike, diplomatike dhe të biznesit, dhe i përçmuar nga ata që dikur kërkonin shoqërinë dhe këshillat e tij si zë kritik dhe parashikues taktik i laburistëve. Tashti, Keir Starmeri i tha Parlamentit se një nga aleatët e tij më të besuar “e ka tradhtuar vendin tonë”.
Mes rrënojave të një reputacioni të shkatërruar, fillimisht nga një lidhje e pamatur dhe e ndërlikuar me financierin e fuqishëm, abuzuesin seksual të fëmijëve dhe trafikantin Jeffrey Epstein, zbulimet janë zgjeruar në akuzat e tjera për marrëdhënie të paturpshme financiare. Në qendër të këtij rrjeti në Mbretërinë e Bashkuar ishin dy persona në zemër të politikës dhe pallatit: Mandelsoni dhe princi i atëhershëm Andrew, të dy të rrëzuar nga afërsia dhe varësia e tyre nga Epsteini (edhe pse të dy kanë mohuar çdo vepër të keqe).
Ne ende jemi në fazat fillestare të asaj se çfarë kjo do të thotë për një qeveri që injoroi paralajmërimet dhe emëroi Mandelsonin ambasador në ShBA, dhe për familjen mbretërore që po merret me një vëlla të pabindur i cili ka shkaktuar dëme të mëdha në familjen ku lindi si princ, dhe tani jeton në një gjendje të pasigurt si Andrew Mountbatten-Windsor.
Pasojat politike – në kuptimin e ndjesisë publike ndaj elitave dhe teorive që janë shumë të justifikuara, si dhe disa teorive konspirative mbi rrënjët e sjelljeve të papërshtatshme dhe çfarë qëndron pas tyre – janë krahasuar me një tjetër skandal që ka shënuar një epokë: afera Profumo e vitit 1963, e cila zbuloi një botë glamuri të ndyrë në marrëdhëniet e Christine Keelerit dhe Mandy Rice-Daviesit me burra në zemër të “establishmentit”: deputetin John Profumo, sekretar Shteti për Luftën, dhe aristokratin dhe atëherë pronarin e Klivedenit, Lord Astorin.
Afera Profumo ka jehonë sot në një tjetër skandal me para, seks dhe një klasë të privilegjuar njerëzish. Por, ngjashmëria më domethënëse është se të dyja ato shënuan momente përcaktuese në historinë shoqërore dhe politike – karuseli i aferave mes figurave të shoqërisë që ishin të ndërlidhur nga prejardhja dhe privilegji shënoi, në thelb, fundin e një kulture të pasluftës në të cilën privatësia mund të garantohej dhe mëkatet private mbeteshin sekrete. Publiku u bë spektator i shfaqjes Profumo-Keeler, ashtu siç jemi sot në atë Maxwell-Epstein.
Osteopatia është lidhja e rastësishme mes këtyre historive. Stephen Ward – i cili në vitin 1961 prezantoi 19-vjeçaren Keeler me Profumon – ishte një osteopat i shoqërisë së lartë. Reinaldo da Silva, bashkëshorti i Mandelsonit, kishte marrë pagesën e trajnimit të tij për osteopati nga Epsteini. (Nuk ka akuza për vepra të këqija ndaj da Silvës).
Mandelson këmbëngul se nuk ka qenë i përfshirë seksualisht dhe – pavarësisht se shfaqet në dosjet e Epsteinit, në një fotografi me të brendshme në apartamentin e Epsteinit në Paris, i shoqëruar nga një grua me këmishë të bardhë nate – pohon se ka qenë krejtësisht i pavetëdijshëm për natyrën tejet seksuale të rrethit të Epstein dhe Ghislaine Maxwellit me vajza të reja që ishin gjithmonë në dispozicion për masazhe në këmishë të hollë. E njëjta atmosferë me personazhe të dyshimta apo thjesht të paskrupullta përshkonte edhe “grupin e Klivedenit”, ku atmosfera bohemiane ishte një mbulesë e hollë për shthurjen seksuale dhe shfrytëzimin.
I dashuri tjetër i Keelerit në kohën e marrëdhënies së saj me një ministër – një fushë e dendur me njerëz – ishte atasheu detar sovjetik Yevgeny Ivanov. Miku i saj Ward, në thelb, u kthye në një agjenci takimesh – ose, më troç, një furnizues vajzash të reja për t’i prezantuar te burrat me pushtet, të cilët kërkonin shpërqendrim nga jeta e tyre e zakonshme, jashtë syve të publikut.
Të lexosh dëshminë e Keelerit të vitit 1963 është veçanërisht tronditëse në të tashmen, përkitazi me atë që zbulon mbi neverinë e asaj ane të dekadës “luhatëse” [swinging] dhe mashtrimin e saj ndaj vetes: “Nuk e kam konsideruar kurrë veten prostitutë apo vajzë për shoqërim”, tha ajo. “Stepheni më tha se duhet të kesh mentalitetin e një prostitute, të cilin s’e kisha, dhe nuk ishte aq keq të flesh me një burrë një herë a dy herë e të marrësh disa para prej tij; një burrë të cilin e njihja dhe e pëlqeja”.
Ashtu si shumë prej atyre që rekrutoheshin për seks nga Epsteini dhe Maxwelli, Keeleri gjithashtu prezantonte, te Wardi, vajza të tjera që njihte: “I prezantoja sepse atij i pëlqenin vajzat”, i tha ajo gjykatës. “Më thoshte se cila vajzë i pëlqente në një dyqan, dhe thoshte [sic]: ‘Shko dhe merre atë’”.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *