Mër. Qer 24th, 2026

“Narrativa të fabrikuara”, ambasadori Zemaj reagon ndaj interpretimeve për mospjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e NATO-s

Ambasadori i Kosovës për Marrëdhëniet me NATO-n, Astrit Zemaj ka reaguar ndaj, siç i cilëson ai, interpretimeve të pasakta dhe të motivuara politikisht lidhur me mospjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në Samitin e NATO-s.

Përmes një reagimi publik, Zemaj tha se në rrjetet sociale dhe në disa media po tentohet të ndërtohen narrativa të pavërteta rreth raportit të Kosovës me Aleancën Veriatlantike, duke theksuar se samitet e NATO-s janë procese të mirëpërcaktuara institucionale dhe jo ngjarje që mund të interpretohen sipas interesave të politikës së brendshme.

“Çdo përpjekje për ta paraqitur mospjesëmarrjen e Kosovës si ‘mesazh politik’ është e pabazuar, e shtrembëruar dhe në thelb e dëmshme për të kuptuar realitetin institucional”, ka deklaruar Zemaj.

Ai rikujtoi rolin historik të NATO-s në vitin 1999, duke e cilësuar ndërhyrjen e Aleancës si vendimtare për ndalimin e dhunës, terrorit dhe krimeve të regjimit të atëhershëm serb ndaj popullit të Kosovës. Sipas tij, kjo ndërhyrje hapi rrugën për paqen, lirinë dhe shtetndërtimin e vendit.

Reagimi i plotë i Zemajt:

Të nderuar miq,

Duke u nisur nga disa shkrime në rrjete sociale dhe por edhe në disa media nga individë jo kompetentë dhe me qëllime politike, po vërehet një tentativë e qëllimshme për të deformuar realitetin dhe për të ndërtuar narrativa të pasakta lidhur me pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në Samitin e NATO-s.

Duhet të jetë e qartë: Samitet e NATO-s nuk janë ngjarje të hapura për interpretime politike apo keqlexime mediatike sipas narrativave dhe kalkulimeve të brendshme politike, por procese strikt institucionale të NATO-s, të bazuara në statusin e shteteve anëtare dhe partnerëve të Aleancës. Prandaj, çdo përpjekje për ta paraqitur mospjesëmarrjen e Kosovës si “mesazh politik” është e pabazuar, e shtrembëruar dhe në thelb e dëmshme për të kuptuar realitetin institucional.

Republika e Kosovës mbetet thellësisht mirënjohëse ndaj NATO-s për ndërhyrjen vendimtare humanitare dhe ushtarake të vitit 1999, e cila u ndërmor për të ndalur dhunën sistematike, terrorin dhe krimet e rënda të regjimit të atëhershëm të Serbisë ndaj popullit të Kosovës, deri në shkallë gjenocidi dhe katastrofës humanitare e cila kishte rrezik të shpërndarjes edhe në rajon. Kjo ndërhyrje historike ushtarake dhe e vetmja si e tillë në gjithë historinë e NATO-s, hapi rrugën e paqes, lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.

Po ashtu, për më shumë se dy dekada, KFOR-i si mision i udhëhequr nga NATO, ishte garancia kryesore e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, ndërsa Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT) ka qenë dhe mbetet pjesë thelbësore e bashkëpunimit strategjik dhe zhvillimit institucional të vendit tonë. Secilit pjestar ushtarak dhe civil të NATO-s, ju jemi përjetësisht mirënjohës per kontributin dhe sakrificën e tyre tani rreth tri dekada.

Po ashtu, Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike dhe në synimin strategjik për anëtarësim të plotë në NATO. Çdo narrativë që synon të minojë këtë orientim, të deformojë raportin me Aleancën apo të dobësojë besimin institucional ndërmjet Kosovës dhe NATO-s, është politikisht e dëmshme dhe faktikisht e pasaktë.

Institucionet e Republikës së Kosovës nuk duhet të sulmohen mbi baza narrative të fabrikuara, e as të mbështeten interpretime që i shërbejnë agjendave që historikisht kanë qenë kundër shtetësisë së Kosovës.

Prandaj, Kosova nuk devijohet nga asnjë narrativë e fabrikuar. Rruga jonë dhe qëllimi është e qartë dhe e pandryshueshme: partneritet i thellë me NATO-n dhe integrimi i vazhdueshëm deri tek anëtarësim i plotë në Aleancë dhe strukturat tjera euroatlantike në të ardhmen.

Prishtinë, 24.06.2026

Astrit Zemaj

Ambasador

Postime të Ngjashme