Republika e Kosovës ka nisur sot zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, duke filluar një periudhë informuese që do të zgjasë deri më 15 mars.
Politikani nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafi ka thënë se ligjet kanë implikime të drejtpërdrejta për shqiptarët e Luginës së Preshevës që ende nuk posedojnë dokumente kosovare, por jetojnë në territorin e Kosovës prej vitesh.
Sipas tij, ligjet nuk ndalojnë hyrjen e qytetarëve dhe nuk synojnë penalizim, por vendosin qartësi juridike aty ku për vite ka ekzistuar një “zonë gri administrative”.
“Periudha afirmative shërben ekskluzivisht për rregullimin e statusit ligjor të qëndrimit dhe dokumentacionit, për eliminimin e pasigurisë administrative dhe për krijimin e mundësive shtesë në rast nevoje”, ka shkruar Mustafi.
Qeveria e Kosovës ka mundësuar gjithashtu aplikimin për dokumente për qytetarët apatridë ose të pasivizuar në Luginën e Preshevës dhe ka krijuar mundësi për bartjen e pronave të paluajtshme në emrin e tyre.
Procedurat janë lehtësuar dhe pritet që miratimi i Ligjit të ri për Shtetësinë të ofrojë një kornizë më gjithëpërfshirëse.
Mustafi ka theksuar se pas datës 15 mars zbatimi i ligjeve do të jetë i plotë, ndërsa qytetarët duhet të veprojnë për të shmangur pasoja administrative.
“Kosova nuk është hapësirë e pasigurisë ligjore për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por shtet i së drejtës që i mbron dhe i trajton me dinjitet dhe në mënyrë të barabartë,” tha ai.

