Hën. Shk 16th, 2026

Mustafa i PDK-së: Shifrat tregojnë një realitet tjetër për ekonominë e Kosovës

Deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kritikuar qasjen e qeverisë ndaj ekonomisë gjatë seancës që po mbahet në Kuvendi i Kosovës, duke thënë se situata reale ekonomike nuk përputhet me deklaratat zyrtare.
Duke folur në debatin për buxhetin e vitit 2026 dhe drejtimin ekonomik të vendit, Mustafa tha se qeveria po paraqet një pasqyrë jo reale të zhvillimit ekonomik dhe se matësi kryesor duhet të jetë përmirësimi i jetës së qytetarëve.
“Sot po diskutojmë për buxhetin e vitit 2026, por edhe për drejtimin ekonomik. Prandaj fillimisht dua të ndalem te ekspozeja e kryeministrit të pjesa për ekonominë. Kryeministri në vazhdimësi ka paraqitur një pasqyrë jo reale, sikur ekonomia e vendit po përparon shumë, po përparon çdo ditë. Por dihet se ekonomia nuk matet me deklarata, ekonomia matet me numra dhe mbi të gjitha matet me cilësinë e jetës së qytetarëve. Kur ekonomia ecën mirë, njerëzit e ndjejnë; e ndjejnë me paga më të larta reale, e ndjejnë me vende më të mira pune dhe e ndjejnë me kushte më të dinjitetshme jetese”, tha ai.
Deputeti theksoi se sipas tij qytetarët nuk po e përjetojnë këtë përmirësim dhe paraqiti një sërë treguesish ekonomikë për të mbështetur qëndrimin e tij.
“Kjo fatkeqësisht nuk është ajo që po jetojnë qytetarët në Kosovë. Më lejoni t’i paraqes disa tregues të realitetit ekonomik në Kosovë përmes numrave:
Rritja Ekonomike: Kryeministri tha se gjatë qeverisjes së tij norma mesatare e rritjes ekonomike ka qenë 6%. Kjo nuk qëndron. Norma mesatare është 3.6%, e cila është më e ulët se mesatarja prej 4.6% para se të vinit ju në pushtet.
Krahasimi me Rajonin: Ju keni theksuar vazhdimisht se kemi normën më të lartë të rritjes ekonomike në rajon. Por përqindjet jo gjithmonë tregojnë të gjithë realitetin. Para se të vinit ju në qeveri, në vitin 2019, diferenca ndërmjet ekonomisë së Kosovës (GDP) dhe ekonomisë së Shqipërisë ishte 6.8 miliardë euro. Në vitin 2024, kjo diferencë ka arritur në 14.6 miliardë euro.
Inflacioni: Kryeministri deklaroi se Kosova ka inflacionin më të ulët në rajon. As kjo nuk qëndron. Në dhjetor 2025, norma e inflacionit në Kosovë ishte 5.3%, në Shqipëri 2.2%, në Malin e Zi 3.7% dhe në Maqedoninë e Veriut 3.6%.
Deficiti tregtar: E përmendni vazhdimisht rritjen e eksportit, por nuk e përmendni importin. E keni gjetur vendin me deficit tregtar prej 3.1 miliardë euro, ndërsa sot deficiti tregtar është 6.1 miliardë euro”, tha Mustafa.
Në përfundim, ai tha se rritja e importit po dëmton ekonominë vendëse dhe bëri thirrje për politika që mbështesin prodhuesit lokalë.
“Kjo do të thotë se paratë e qytetarëve të Kosovës çdo ditë e më tepër po i financojnë ekonomitë e tjera, ndërsa ju këtu na flisni për zhvillim. Importin ne duhet ta zëvendësojmë me eksport, por që të ndodhë kjo, duhet të kemi një ambient miqësor ndaj prodhuesve vendas”, u shpreh ai

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *