Hën. Tet 12th, 2026

Mungesa e teksteve shkollore vazhdon të jetë problem për nxënësit në Kosovë

Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor, një numër nxënësish në Kosovë vazhdojnë të jenë pa libra. Kjo situatë është evidentuar në disa shkolla të vendit, përfshirë shkollën “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë.

Sekretari i kësaj shkolle, Betim Ahmeti, ka bërë të ditur se 33 aplikime për subvencionimin e teksteve shkollore janë ende në pritje të konfirmimit, pasi nxënësit përkatës nuk figurojnë në shkollën e tyre. Sipas tij, çështja po trajtohet në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe Ministrinë e Arsimit, për të përcaktuar nëse aplikimet duhet të pranohen apo refuzohen.

Ahmeti ka theksuar se disa nxënës kanë pasur vonesa në pranimin e mjeteve financiare, ndërsa në raste të tjera, prindërit i kanë marrë subvencionet, por nuk i kanë shfrytëzuar për blerjen e librave. Ai ka përmendur veçanërisht vështirësitë ekonomike dhe sociale të disa familjeve nga komunitetet, duke shtuar se shkolla përpiqet t’i pajisë me libra edhe këta nxënës.

Probleme të ngjashme janë raportuar edhe në shkolla të tjera. Përfaqësuesi i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, ka konfirmuar se mësimdhënësit kanë ngritur shqetësime për nxënësit që vazhdojnë të jenë pa tekste shkollore, qoftë për shkak të vonesave në pagesa, qoftë për shkak të mosblerjes së librave nga prindërit. Ai ka bërë të ditur se për këtë çështje është diskutuar edhe me Ministrinë e Arsimit, me qëllim të analizimit të mënyrës së furnizimit me tekste.

Njohësi i arsimit, Ismet Potera, ka paralajmëruar se mungesa e librave ndikon negativisht jo vetëm në zhvillimin e procesit mësimor, por edhe në gjendjen psikologjike të nxënësve, duke krijuar pabarazi ndërmjet atyre që kanë materiale mësimore dhe atyre që nuk kanë.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit, për të katërtin vit radhazi, ka vazhduar praktikën e subvencionimit të teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit.

Postime të Ngjashme