Hën. Mar 2nd, 2026

Muharremi: Kosova rrezikon të hyjë në krizë të re institucionale pa konsensus për presidentin

Analisti politik Shenoll Muharremi ka vlerësuar se vendi rrezikon të hyjë në një tjetër cikël krize institucionale, nëse nuk arrihet marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit brenda afatit kushtetues të 4-5 marsit.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) po manifeston vazhdimisht një model qeverisjeje të mbështetur në institucione me ushtrues detyre, duke normalizuar krizën si pjesë të zakonshme të funksionimit institucional.

“Një qeverisje me deficit legjitimiteti demokratik, formalisht legale, por politikisht e brishtë”, ka theksuar Muharremi.

Ai ka shtuar se nuk po shihet urgjencë reale për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa bisedimet mes partive politike i ka cilësuar sipërfaqësore dhe pothuajse të kolapsuara. Sipas tij, takimet mes LVV-së dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk pritet të vazhdojnë, ndërsa edhe takimi i fundit mes LVV-së dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vështirë se do të prodhojë marrëveshje.

Muharremi paralajmëron se një skenar i mundshëm është që presidentja ta përfundojë mandatin dhe vendi të kalojë në ushtrues detyre – një situatë që, sipas tij, është parë edhe më herët në Kosovë.

“Nëse do të kishte vullnet real nga Albin Kurti dhe LVV-ja për konsensus, marrëveshja do të ishte e arritshme. Kjo nuk është matematikë e komplikuar, por kërkon vullnet dhe vendosmëri”, ka deklaruar ai.

Duke iu referuar formulës së propozuar në takimet e fundit – që secila parti të propozojë nga një kandidat – Muharremi ka vlerësuar se kjo dëshmon mungesë pajtimi, gjë që pamundëson sigurimin e shumicës së nevojshme.

“Pa pajtim nuk ka shumicë. E pa shumicë, nuk ka president në afat”, është shprehur ai.

Sipas analistit, situata aktuale mund të shihet si realizim gradual i një ideje të kahmotshme të LVV-së për kontroll të plotë institucional, duke theksuar se shumicën parlamentare dhe qeverinë tashmë i kontrollon kjo parti, ndërsa Presidenca shihet si hallka e fundit.

“Nëse jo me konsensus, atëherë me zgjatje teknike, me ushtrues detyre, me mandate legale por me deficit legjitimiteti”, ka thënë Muharremi.

Ai ka bërë krahasim me situatat në komunat e veriut, ku kryetar shqiptar kanë ushtruar mandat në komuna me shumicë serbe me pjesëmarrje shumë të ulët në zgjedhje, si edhe me funksionimin e institucioneve qendrore gjatë vitit 2025.

Në fund, Muharremi ka theksuar se problemi është thelbësisht politik dhe demokratik, duke shtuar se demokracia nuk është vetëm ligjshmëri formale, por kërkon legjitimitet, përfaqësim dhe marrëveshje mes aktorëve kryesorë politikë.

“Barën kryesore për këtë situatë e mban LVV-ja dhe Kurti. Ata e kanë privilegjin e shumicës, por bashkë me të edhe përgjegjësinë për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe kredibile”, ka deklaruar ai.

Sipas Muharremit, ajo që mund të pasojë është krijimi i institucioneve formalisht të rregullta, por politikisht të brishta – një “kuazi-legjitimitet” që, në planin afatgjatë, rrezikon stabilitetin demokratik të vendit.

KLIKO KETU PER POSTIMIN E PLOTE

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *