Qytetarët e Kosovës dhe vizitorët e huaj që qarkullojnë me automjete të regjistruara jashtë vendit duhet të jenë të vetëdijshëm për rregullat e reja që hynë në fuqi, më 15 mars 2026.
Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë informata lidhur me automjetet e regjistruara në vendin e huaj, që marrin pjesë në trafikun rrugor të Kosovës.
Njoftimi i plotë i MPB-së:
NË VENDIN E HUAJ QË MARRIN PJESË NË TRAFIKUN RRUGOR TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Ky dokument udhëzues i informon pronarët e automjeteve të regjistruara në vendin e huaj mbi detyrimet ligjore gjatë pjesëmarrjes në trafikun rrugor në Republikën e Kosovës.
Të dashur vizitorë, mirë se vini në Republikën e Kosovës! Ju urojmë qëndrim të këndshëm në vendin tonë! Jemi të detyruar t’ju informojmë për të drejtat dhe detyrimet tuaja në lidhje me Ligjin për Automjetet në Republikën e Kosovës, në mënyrë që qëndrimi juaj në vendin tonë të jetë më i lehtë dhe në përputhje me rregullat dhe ligjet e vendit tonë.
Ju lutemi vini re se:
• Automjeti i regjistruar në vendin e huaj në pronësi të shtetasit të huaj, lejohet të qarkullojë deri tre (3) muaj nga data e hyrjes në Kosovë;
• Automjeti i regjistruar në vendin e huaj në pronësi të qytetarit të Kosovës, lejohet të qarkullojë deri tre (3) muaj nga data e hyrjes në Kosovë. Qytetari i Kosovës duhet të ketë të rregulluar lejen e qëndrimit të përkohshme ose të përhershme dhe ta tregojë në çdo rast kur kërkohet nga personi i autorizuar;
• Automjetin e regjistruar jashtë Kosovës nuk mund ta drejtojë shtetasi kosovar pa praninë e pronarit dhe as të autorizohet që të qarkullojë në Kosovë;
• Automjeti i regjistruar në vendin e huaj në pronësi të qytetarit të Kosovës me qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm jashtë Kosovës mund ta drejtojë qytetari i Kosovës nëse ai gjithashtu ka qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në shtetin prej nga vjen automjeti dhe duhet të ketë autorizim nga shteti ku është i regjistruar automjeti;
• Personi i cili nuk ka të rregulluar qëndrimin e përkohshëm ose të përhershëm nga vendi ku importohet automjeti, lejohet të qarkullojë deri në tetë (ditë nga data e hyrjes në Kosovë;
• Shtetasi i huaj të cilit i është lejuar qëndrimi i përkohshëm ose i përhershëm në Kosovës apo qytetari i Kosovës i cili kthehet nga shtetet e huaja mund të drejtojë automjetin me patentë shofer të huaj të vlefshme deri në një (1) vit nga dita e hyrjes në Kosovë.
Për më shumë informacion, ju lutemi referojuni Ligjit nr. 05/L-132 për automjetet, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Zbatimi i plotë fillon, më 15 mars 2026 dhe mosrespektimi i pikave të mësipërme përbën shkelje të ligjeve që rregullojnë fushën e trafikut dhe do të merren masa në përputhje me legjislacionin përkatës.
Faleminderit për vëmendjen tuaj!
Ju urojmë qëndrim të këndshëm në Republikën tonë!

