Pas 15 vjetëve rikthehem në krye të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit. Kështu ka bërë të ditur Mimoza Kusari-Lila
Sot zyrtarisht pranova detyrën nga ministrja e deritashme dhe deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Rozeta Hajdari.
E bindur se me përkushtim, energji dhe vizion do të vazhdojmë drejt një ekonomie të qëndrueshme, me politika mbështetëse për sektorin privat, start-up-et, fuqizimin ekonomik të grave, forcimin dhe brendimin e produkteve “Made in Kosova”, si edhe ngritjen e eksportit dhe rritjen e produktivitetit të prodhimit kosovar. Incentivizimi i bizneseve për të punuar me politka miqësore mjedisore, duke promovuar ekonominë qarkore, do të kenë fokusin tim të veçantë.
Vendi ynë pasurinë më të çmuar i ka të rejat dhe të rinjtë, të cilët me kreativitetin dhe talentin e tyre kanë zhvilluar dhe rritur sektorin e inovacionit – sektor që tashmë është pjesë e këtij dikasteri.
Dialogu publik-privat dhe sinergjia e krijuar përmes ndërlidhjes dhe koordinimit të të gjithë sektorëve do të sjellin vlerë të shtuar për ekonominë e vendit.
E lumtur të jem pjesë e zhvillimit dhe suksesit të shtetit tonë.

