Derisa në Kosovë po zhvillohet procesi zgjedhor këtë të diel, një pjesë e qytetarëve kanë zgjedhur që ditët e fundjavës t’i kalojnë në destinacione turistike në Shqipëri.
Gjatë së shtunës është vërejtur një lëvizje e vazhdueshme drejt bregdetit shqiptar, ndonëse me intensitet më të ulët krahasuar me fundjavat tipike të sezonit veror.
Sipas të dhënave të Policisë Kufitare dhe Migracionit, rreth 9 mijë shtetas nga Kosova kanë hyrë në territorin shqiptar përmes Pikës Kufitare të Morinit gjatë orëve të para të së shtunës dhe së dielës.
Referuar raportimeve të A2CNN, këto statistika tregojnë se Shqipëria vazhdon të jetë ndër destinacionet më të frekuentuara për pushime të shkurtra nga qytetarët kosovarë.
Megjithatë, krahasuar me fundjavat e muajit maj, këtë herë është regjistruar një rënie e lehtë e hyrjeve, e cila lidhet kryesisht me angazhimin e qytetarëve në procesin zgjedhor në vend.

