Hën. Shk 16th, 2026

Me orë të tëra pa ujë, banorët e “Vranjevcit” kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet

Banorët e lagjes “Vranjevci” në Prishtinë po përballen prej muajsh me ndërprerje të vazhdueshme dhe të gjata të furnizimit me ujë të pijshëm, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe diskriminuese.
Sipas banorëve, që nga viti i kaluar e deri më sot, uji ndërpritet pothuajse çdo ditë në dy termine të caktuara nga ora 10:00 paradite deri rreth orës 17:00–18:00 pasdite, si edhe gjatë natës nga ora 22:00 deri në ora 06:00 të mëngjesit.

Këto reduktime të zgjatura po shkaktojnë vështirësi të mëdha në jetën e përditshme të familjeve, fëmijëve dhe të moshuarve.

“Është bërë e pamundur të organizojmë ditën normalisht. Nuk mund të kryejmë as nevojat më elementare,” shprehen disa nga banorët e lagjes, të cilët theksojnë se pavarësisht ankesave të shumta drejtuar kompanisë së ujësjellësit, deri tani nuk kanë marrë asnjë sqarim të qartë apo zgjidhje konkrete.

Banorët e “Vranjevcit” ndihen të diskriminuar në krahasim me lagjet e tjera të kryeqytetit, ku furnizimi me ujë, sipas tyre, është dukshëm më i rregullt. Ata kërkojnë trajtim të barabartë dhe reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse.

“Furnizimi me ujë të pijshëm është një e drejtë bazë dhe jo privilegj”, theksojnë banorët, duke bërë thirrje që çështja të trajtohet si temë me interes publik dhe të bëhet publike, me qëllim që autoritetet kompetente të ndërhyjnë sa më parë për zgjidhjen e problemit.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *