Mër. Mar 4th, 2026

Masat ndaj Kosovës, BE: Lirimi i 205 milionë eurove varet nga kontratat IPA

Në dhjetor 2025, presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen njoftoi qëllimin për të hequr të gjitha masat e mbetura ndaj Kosovës deri në fund të janarit.

Lidhur me këtë, Telegrafi ka pyetur BE-në se deri ku ka arritur procesi për heqjen e tërësishme të masave të mbetura.

BE-ja, në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, ka thënë se pas përfundimit të procedurave të brendshme, Komisioni mund të vazhdojë tani me lëshimin e 205 milionë eurove të mbetura si asistencë financiare.

Sipas tyre, kjo do të bëhet pasi të përfundojë nënshkrimi i kontratave për asistencën financiare të planifikuar nën programet IPA 2021 dhe 2022.

“Lëshimi i ardhshëm përfundimtar i fondeve do të përfshijë: 74 milionë euro për projekte nën programet vjetore IPA 2021 dhe 2022, si dhe 131 milionë euro për projekte nën Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)”, thuhet në përgjigje.

Tutje theksohet se Komisioni dhe Shërbimi i Jashtëm Evropian do të forcojnë angazhimin e tyre me autoritetet e Kosovës, përfshirë edhe një vizitë të ardhshme të Komisionerit Kos”.

“Nga ana e saj, Kosova pritet të intensifikojë zbatimin e reformave shumë të nevojshme lidhur me BE-në dhe të avancojë në përmbushjen e detyrimeve të ndërmarra në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. BE-ja do të vazhdojë të ndjekë dhe të vlerësojë situatën shumë nga afër”, thuhet në përgjigje.

Masat ndëshkuese të BE-së u vendosën ndaj Kosovës në qershor të vitit të 2023 pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *