Enj. Tet 23rd, 2025

Masakrat, vrasjet e dhunimet, dëshmi e krimeve serbe në Kosovë

Mbi 13 mijë civilë të pafajshëm që u vranë, qindra masakra që u kryen, mijëra gra që u dhunuan e shtëpi të tëra që u dogjën janë dëshmi e krimeve të kryera nga ushtria dhe policia serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Por, asnjë nga këto duket se nuk u ka bërë përshtypje deri tash Dhomave të Specializuara në Hagë. Madje së fundmi, mbrojtja e Jakup Krasniqit kishte kërkuar që disa materiale të pranoheshin si prova të krimeve serbe, por Specialja i kishte refuzuar.

Ngado që shkon e në secilën komunë që ndalesh në Kosovë sheh dëshmi të gjenocidit serb të kryer mbi popullatën civile. Pothuajse secila familje vuan nga plagët e krimeve serbe në Kosovë.

Mbi 13 mijë civilë të pafajshëm që u vranë, qindra masakra që u kryen, mijëra gra që u dhunuan, e shtëpi të tëra që u dogjën janë dëshmi e krimeve të kryera nga ushtria dhe policia serbe gjatë luftës së fundit.

Por, asnjë nga këto nuk u ka bërë përshtypje deri tash Dhomave të Specializuara në Hagë.

Madje, sipas profesorit të së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, nuk ekziston një Gjykatë Penale Ndërkombëtare njëetnike çfarë është deri tash Gjykata e Speciale në Hagë.

Ai, thotë se me këtë është bërë një padrejtësie e madhe kur dihet se krimet që ka kryer Serbia janë të shumta dhe mizore.

“Meqë bashkësia ndërkombëtare ka vendosur të formohet një gjykatë penale ndërkombëtare me seli në Hagë është dashur që të jetë kompetente për gjykimin e të gjithë atyre personave të cilët kanë kryer krime. Mirëpo këtu është bërë një padrejtësi e madhe, në këtë gjykatë janë nxjerrë, janë akuzuar, janë duke u dënuar vetëm shqiptarët e jo serbët, ndërsa serbët dihet se i kanë kryer të gjitha ato krime”, tha Salihu.

Në këtë kontekst mbrojtja e Jakup Krasniqit, kishte parashtruar një kërkesë në Gjykatën Speciale, duke kërkuar pranimin e disa materialeve si prova që ajo i konsideron të rëndësishme dhe që “kanë vlerë provuese” në rastin e akuzave ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së. Por, Specialja i ka vlerësuar të parëndësishme për akuzat, disa prej krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë gjatë luftës, të cilat avokatët e Krasniqit i kanë përfshirë në kërkesë.

Lidhur me këtë në Fondin për të Drejtën Humanitare, theksojnë domosdoshmërinë e ndjekjes dhe gjykimit të krimeve të luftës dhe gjenocidit të kryer nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

“Veprat penale të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, gjenocidit dhe të gjitha veprat që janë në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, ato nuk parashkruhen, ato duhet të ndiqen dhe duhet gjykohen deri në momentin e fundit apo deri në momentin që personat përgjegjës janë gjallë dhe duhet te sillen para drejtësisë, të gjykohen e dënohen për të gjitha ato vuajtje të cilat i janë shkaktuar popullatës civile”, tha Amer Alija, nga Fondi për të Drejtën Humanitare

Numri i personave të dënuar për mijëra krime serbe është shumë i vogël, pasi për më shumë se dy dekada janë dënuar vetëm 74 persona.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *