Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur sot seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Dushko Arsiq, i akuzuar për krime lufte të kryera në fshatin Butovc gjatë periudhës janar–qershor 1999.
Dëshmitari Sylë Isufi, në cilësinë e dëshmitarit, ka dhënë detaje për ngjarjet dhe për dëshmitë që posedon.
Ai tha se ka fotografi nga vendi i krimit dhe ka dhënë dëshmi te hetuesit ndërkombëtarë më 14 qershor të vitit 1999.
“I posedoj fotografitë ku është kryer krimi në Zllatar, kam dhënë dëshmi te hetuesit ndërkombëtarë më 14 qershor të vitit 1999. Kam qenë në vendin e ngjarjes ku u kry krimi. Janë marrë mbetjet mortore dhe teshat e prindërve: Hajriz Isufi, Shaip Imeri, Shehide Krasniqi, dhe Bali Hajdinit, i cili ditën e krimit ka qenë mysafir tek unë dhe Sabit Shillova. Këta janë të masakruar dhe të djegur më 21 prill 1999”, theksoi ai.
Ai u pyet edhe për ngjarjen që lidhet me Artan Krasniqin.
“Artan Krasniqin e ka maltretuar Dushko Arsiqi. Nuk e kam parë, po kam dëgjuar, ditën kur u kry në Butovc nga Arsiqi, ku edhe e ka detyruar Artan Krasniqin me bart kufoma lart diku, po deri ku nuk e di”, deklaroi ai.
Mbrojtësi i Dushkos ka kundërshtuar deklaratën e dëshmitarit.
Tutje, Isufi rrëfeu për njohjen e tij me të pandehurin dhe marrëdhëniet familjare e shoqërore me të.
“Po e njoh Dushko Arsiqin prej viteve 1970. Arsiqin e kam njohur si fëmijë, i ri. Rruga na ka lidhur, që përmes shkuarjes në qytet u desht me kalu pranë shtëpisë së tij, plus ka qenë një shitore afër shtëpisë së tij. Përndryshe nuk kam pasur asnjë muhabet as me të, as me babën e tij. Me mixhen e tij herë-herë po, se ai ka punuar në kombinat në Obiliq, ka qenë shofer (axha i tij). Nganjëherë na ka marrë dimrit kur ka qenë borë,” shtoi ai.
Ai përshkroi edhe ditën pas masakrës dhe momentet kur kishte parë të pandehurin.
“Dushko Arsiqin e kam parë më 22 prill të vitit 1999, kurse masakra u kry më 21 prill. E kam parë në fshatin Makovc. Dushko Arsiq me kolegët e vet ka qenë duke luajtur futboll në shtëpinë e një shqiptari. Ne kemi hyrë në befasi, kur jemi ofruar, një koleg i tij ka dalë para Dushkut dhe ka vendosur maskën përtej rrekës te sharra. Dushko ka dalë i dyti. Unë e kam pas djalin e vellaut në krah, ai ka qenë 2.5 vjec. Dushko ka dalë prej oborrit të shtëpisë, u mundua me vendos maskën në fytyrë, s’ka mundur dhe u vendos direkt në gjoksin tim dhe kallashin e ka pas në dorën e majtë. Kur kanë dalë përtej lumit janë rreshtuar dhe na kanë marrë fëmijët dhe rininë dhe na kanë ndarë prej kolonës.”
Ai shtoi një detaj të tmerrshëm për grupin që kishte kryer masakrën.
“Dushko Arsiqi ka qenë në mesin e tyre, armën e ka pas edhe kanë dalë para sharrës dhe kanë gjuajtur me armë, sepse kanë qenë një grup që kanë gjuajtur me armë mbi kokat e fëmijëve tanë”, tha ai.

