Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën fillestare për 15 shtator në orën 09:00, në rastin penal ndaj dhjetëra personave të akuzuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, sipas aktakuzës së ndryshuar të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas dokumentit gjyqësor të datës 13 korrik, bëhet fjalë për 53 të akuzuar, shumica prej të cilëve kanë pasur pozita në strukturat ushtarake, policore dhe të sigurisë gjatë luftës në Kosovë, .
Në mesin e tyre figurojnë Momir Stojanoviq, Sreten Çamoviq, Nikola Miçunoviq, Milovan Kovaçeviq, Sergej Peroviq, Veroljub Zhivkoviq, Milan Kotur, Radomir Çoliq, Dragutin Josifoviq, Franko Simatoviq e të tjerë.
Sipas aktakuzës, në mesin e të ftuarve në cilësinë e të akuzuarve, janë edhe katër shqiptarë.
Dokumenti thekson se adresat aktuale të të akuzuarve janë të panjohura, ndërsa procedura gjyqësore është duke u zhvilluar për gjykim në mungesë, bazuar në aktakuzën e ndryshuar të Prokurorisë Speciale, PPS nr. 60/2010, të datës 23 dhjetor 2024.
Sipas ftesës së gjykatës, të akuzuarit dyshohet se, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale të krimeve të luftës kundër popullsisë civile, e cila në aktakuzë është lidhur me dispozitat përkatëse të ligjit penal të ish-Jugosllavisë dhe me dispozitat aktuale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata u ka bërë thirrje të akuzuarve që të dorëzohen dhe të paraqiten sa më parë pranë gjykatës, në mënyrë që procedura penale të zhvillohet në praninë e tyre.
Po ashtu, Gjykata Themelore në Prishtinë u ka bërë thirrje të gjithë personave që kanë informacion për vendndodhjen e të akuzuarve që këtë informacion t’ia përcjellin Policisë, me qëllim të sigurimit të pranisë së tyre në procedurën gjyqësore.
53 pjesëtarët dyshohet të kenë qenë pjesë e operacionit “Reka”, që kreu masakër në Mejë dhe disa fshatra të Gjakovës./

