Mër. Dhj 17th, 2025

Marrëveshje dhjetëra milionëshe/ Cilat masa i hoqi BE-ja?

Bashkimi Evropian ka vendosur që pjesërisht të heq disa prej masave ndaj Republikës së Kosovës.

Nëpërmjet një letre të dërguar në adresën e zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, Gert Jan Koopman, drejtor i përgjithshëm për Zgjerim i BE-së, njoftoi heqjen e disa masave që i japin dritën e gjelbër investimeve në vlerë milionëshe.

“Në muajin maj, ne filluam heqjen e disa masave të BE-së pas përpjekjeve për të ulur tensionet në veri. Kohët e fundit, kemi përshëndetur transferimin paqësor dhe të rregullt të qeverisjes lokale pas zgjedhjeve lokale, si dhe largimin e policisë nga objektet komunale.

Bazuar në sa më sipër dhe në përputhje me Komunikimin e Komisionit për Zgjerimin 2025, kam kënaqësinë t’ju informoj se Komisioni do të heqë më tej disa nga masat e BE-së, konkretisht ato që lidhen me programimin e fondeve të BE-së dhe kontraktimin e projekteve prioritare” u shpreh Koopman.

Me këtë rast, ai ftoi Kosovën që sa më shpejt të dorëzojë propozimin e saj, lidhur me financimin IPA 2026-2027.

Në letër është bërë e ditur se masat që u hoqën i përkasin një pakete prioritare kontratash, që në thelb përfshijnë katër projekte të mëdha.

Automatikisht është autorizuar lidhja e kontratave për impiantin e ngrohjes qendrore të Prishtinës, në vlerë prej 17 milionë e 600 mijë eurove.

Kjo ishte nja marrëveshje kontributi me Bankën Evropiane të Invesitmeve, në kuadër të IPA-s, raporton IndeksOnline.

12 milionë euro është vlera e marrëveshjes për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura në Termocentralin Kosova B, e dakorduar në marrëveshje me Zyrën e OKB-së, për Shërbime të Projekteve.

Tre milionë euro është marrëveshja e radhës për skemën “Young Cell”, që përfshin përfitim direkt të granteve, nga Universitet i Selanikut.

Ndërkaq, 2 milionë euro është marrëveshja për mbështetjen për kompaninë e menaxhimit të deponive të Kosovës, e kontraktuar me Bankën Gjermane për Zhvillim.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian vendosi masa ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, në shenjë përgjigjeje ndaj tensioneve në veri të vendit

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *