Nga partia opozitare maqedonase LSDM, thonë se “nëse përdorimi i aeroplanit qeveritar ka qenë plotësisht në përputhje me ligjet dhe rregulloret, atëherë pse Qeveria refuzon vazhdimisht të publikojë listat e pasagjerëve?”.
“Çfarë po fshihet nga opinioni? Sipas Mickoskit, ai fillimisht shkoi në Detin Adriatik me një fluturim komercial me familjen e tij, pastaj vazhdoi pushimet, pastaj shkoi për darkë, prandaj humbi fluturimin komercial të kthimit dhe për këtë arsye iu desh të kthehej me aeroplanin qeveritar nga Spliti. Deklarata e Përgjithshme është një dokument i detyrueshëm në aviacionin ndërkombëtar që dorëzohet për të identifikuar aeroplanin, ekuipazhin dhe pasagjerët e tij dhe duhet t’i bashkëngjitet çdo fluturimi ndërkombëtar”.
“Ja, le të publikojë Qeveria dokumentet, në mënyrë që qytetarët të shohin se kush udhëtoi me aeroplanin qeveritar dhe sa u kushtoi atyre. Qytetarët paguajnë për aeroplanin. Qytetarët paguajnë për fluturimet. Qytetarët paguajnë për kostot e ekuipazhit, mirëmbajtjes dhe karburantit”.
“Prandaj, qytetarët kanë të drejtë të dinë: Kush fluturoi me aeroplanin qeveritar? Sa kushtoi saktësisht secili fluturim? Sidomos që nuk ka para për paga, nuk ka para për pagën minimale prej 600 euro, po u shkurtohen 3 milionë euro pacientëve me sëmundje të rralla, po u shkurtohen 40 milionë euro fermerëve. Nëse gjithçka do të ishte e ligjshme – publikoni listat. Nëse nuk ka asgjë për të fshehur – tregoni dokumentet”, thonë nga LSDM.

