Mar. Jan 20th, 2026

Liderët evropianë të palëkundur pas paralajmërimeve të Trumpit lidhur me Grenlandën

Udhëheqësit evropianë po përpiqen ta paraqesin një front të bashkuar në Davos të Zvicrës, pas kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane që e kundërshtojnë përvetësimin e Grenlandës nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Bashkimi Evropian nuk duhet t’i nënshtrohet “ligjit të të fortit”, duke shtuar se është “çmenduri” që blloku po detyrohet ta shqyrtojë përdorimin e “instrumentit të tij kundër shtrëngimit” ndaj Shteteve të Bashkuara.

“Ne besojmë se kemi nevojë për më shumë rritje, kemi nevojë për më shumë stabilitet në këtë botë, por ne e parapëlqejmë respektin para bullizmit”, tha Macron në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror, një ditë para mbërritjes së Trumpit në Zvicër.

Pa iu referuar drejtpërdrejt Trumpit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi nevojën për t’iu përgjigjur ndryshimeve sizmike në botë dhe tha se shpejtësia dhe shkalla e ndryshimeve kanë krijuar një konsensus në Evropë për pavarësi.

“Është koha ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta ndërtojmë një Evropë të re, të pavarur”, tha ajo në një fjalim.

Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, tha se blloku me 27 anëtarë ndodhet “në udhëkryq”, sepse i duhet të vendosë se si të dalë nga një “pozitë shumë e keqe” pas përpjekjeve për ta kënaqur Trumpin për të siguruar mbështetjen e tij për luftën në Ukrainë.

“Pra, ne duhet të bashkohemi dhe t’i themi Donald Trumpit … ‘Po i kalon vijat e kuqe këtu’. Ose qëndrojmë bashkë, ose do të qëndrojmë të përçarë”, tha De Wever gjatë një diskutimi.

Evropianët të ndarë për mënyrën se si t’i përgjigjen Trumpit

Trump njoftoi të shtunën vendosjen e tarifave ndaj importit nga vendet mike evropiane, të cilat e kundërshtojnë përvetësimin e Grenlandës nga SHBA-ja.

Grenlanda është një ishull gjysmautonom që i përket Danimarkës.

Qeveritë evropiane, të cilat po përballen me sfida gjithnjë e më të mëdha nga partitë populiste dhe nacionaliste, kanë qenë të ndara për mënyrën se si duhet t’i përgjigjen kërcënimit me tarifa, duke ruajtur njëkohësisht mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën.

Macron tha se Evropa nuk duhet të pranojë një botë ku forca bën ligjin dhe bëri thirrje për veprime të guximshme për t’i mbrojtur industritë evropiane.

“Mos të jemi të turpshëm. Mos të jemi të përçarë. Mos të pranojmë një rend global që do të ndahet nga ata që pretendojnë se kanë zërin më të madh”, tha Macron.

Vendet evropiane thonë se kërcënimi i Trumpit për tarifa të reja do të shkelte një marrëveshje tregtare të arritur me SHBA-në vitin e kaluar, dhe udhëheqësit e BE-së pritet të diskutojnë kundërmasa të mundshme në një samit emergjent në Bruksel të enjten.

Megjithatë, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, shprehu besimin se Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane do të gjenin një zgjidhje dhe do të shmangnin atë që disa kanë paralajmëruar se mund të shndërrohet në një luftë të zgjatur tregtare.

“Pse po hidhemi menjëherë atje? Pse po e çoni situatën në skenarin më të keq? … Ndaleni histerinë. Merrni frymë thellë”, tha ai.

Ndërkohë, i dërguari i SHBA-së për tregtinë, Jamieson Greer, paralajmëroi vendet evropiane që të mos e përdorin “bazukën” e tarifave kundër vendit të tij, duke thënë se kjo “nuk do të ishte gjë e mençur”./REL

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *