Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka rikujtuar operatorët që të licencohen për shërbimet e kripto-aseteve dhe që kanë aktivitet këmbimi.
Rregullorja e hyrë në fuqi në nëntor të vitit që kaluar u bë si hap i parë drejt rregullimit gradual të këtij sektori dhe rritjes së transparencës në Republikën e Kosovës.
“Me hyrjen në fuqi të saj, subjektet që janë objekt i licencimit obligohen që, brenda një afati prej 90-ditësh (deri më 1 mars 2026), të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për aplikim për licencë dhe për përshtatje të plotë me kërkesat e përcaktuara në këtë rregullore”, thuhet në njoftim të BQK-së.
BQK-ja ka rikujtuar se afati i mbetur deri më 1 mars 2026, për dorëzimin e aplikacioneve për licencë dhe për përmbushjen e kërkesave të rregullores gjatë kësaj periudhe kalimtare, është afati i fundit brenda se cilës të gjithë aplikantët duhet të kenë aplikuar, në pajtim me kërkesat e kësaj rregulloreje.
“Pas përfundimit të këtij afati, ushtrimi i veprimtarisë së ofrimit të shërbimeve të kripto-aseteve pa licencë të BQK-së ose në mospërputhje me kërkesat rregullative do të konsiderohet shkelje e dispozitave të rregullores dhe do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim të bankës.

