Enj. Shk 12th, 2026

Kush është Blerim Gashani – i cili u emërua ministër i Sportit dhe Rinisë

Blerim Gashani, një emër i njohur në fushën e administratës publike dhe projektet ndërkombëtare në Kosovë, është emëruar sot ministër i Sportit dhe Rinisë në Qeverinë Kurti 3.

Gashani ka një karrierë të gjatë dhe të pasur në fushën e drejtësisë, sigurisë dhe menaxhimit publik. Ai ka punuar më parë në UNMIK, EULEX dhe organizatën britanike NI-CO, ku ka menaxhuar projekte të rëndësishme në Kosovë.

Që nga 16 prilli 2021, ai shërbente si Zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ndër të tjera ka qenë Koordinator Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, Anti-Trafikimin dhe Migrimin.

Gashani është i njohur edhe si publicist dhe gazetar, me qindra artikuj të botuar në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, si dhe dy libra të botuar: “Vjeshtë e ngrime” (2017) dhe “Kronikë e rrënimit të Kosovës” (2020).

I lindur më 25 dhjetor 1974 në Tërstenik të Drenasit, Gashani ka përfunduar studimet për Komunikim Masiv dhe Gazetari në Universitetin AAB dhe është duke finalizuar studimet master. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Emërimi i tij vjen në një moment të rëndësishëm për sportin kosovar, ku pritshmëritë janë të larta për avancimin e infrastrukturës sportive dhe mbështetjen e talenteve të rinj në vend.

Kosova mban Lojërat Mesdhetare në vitin 2030, ku 20 stadiume do të kompletohen dhe shumë palestra do të rinovohen.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *