Kryeministri i Kosovës Albin Kurti për përvjetorin e protestave studentore të 1981-ës ka vizituar dje veprimtarin e çështjes kombëtare, Mehmet Hajrizin, e ku tha se lufta çlirimtare e fundit në Kosovë ishte pa dyshim produkt i shumë brezave që ndër vite u angazhuan për liri dhe avancimin e çështjes kombëtare.
Postimi i plotë i Kurtit:
Dje, në përvjetorin e protestave studentore të vitit 1981, e të cilat atëbotë shpejt u shndërruan në demonstrata gjithëpopullore, ishim për vizitë te veprimtari i çështjes kombëtare Mehmet Hajrizi.
Baca Mehmet nuk është thjesht një veprimtar që e përkufizon aktiviteti i tij politik. Ai vjen edhe nga një familje e përfshirë në aktivizëm politik dhe përndjekje nga regjimi serb që nga vitet e ’20-ta të shekullit të kaluar.
Për 15 vjet ai punoi në arsim, duke edukuar breza të tërë nxënësish. Një nga momentet më të rënda të jetës së tij ishte arrestimi në sallën e mësimit, para nxënësve të tij. Ky ishte arrestimi i tij i dytë, pasi për herë të parë ishte arrestuar në vitin 1979.
Në fillim të viteve ’70 u formua organizata ilegale “Grupi Revolucionar i Kosovës”, një ndër organizatat më serioze dhe më jetëgjata të lëvizjes së asaj kohe. Fillimisht ajo u udhëhoq për një vit nga Kadri Osmani, ndërsa për tetë vjet të tjerë nga Mehmet Hajrizi. Më vonë ai, së bashku me shokët e tij, u bë pjesë e themelimit të shtypit të parë klandestin, ku shërbeu edhe si kryeredaktor. “Zëri i Kosovës”, “Pararoja”, “Liria”, “Këngët e lirisë” dhe shumë trakte të tjera politike që ngjallën vrull patriotik dhe përhapën frymën e rezistencës gjithandej vendit, me kërkesa për liri, drejtësi, Republikë dhe bashkim kombëtar.
Mehmet Hajrizi u arrestua më 18 dhjetor 1981, ndërsa më 10 korrik 1982, bashkë me një grup veprimtarësh, u dënua me 12 vjet burg të rëndë. Në atë kohë udhëheqjen e organizatës e mori Kadri Zeka, i cili u vra një vit më vonë së bashku me Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën.
Lufta çlirimtare e fundit në Kosovë ishte pa dyshim produkt i shumë brezave që ndër vite u angazhuan për liri dhe avancimin e çështjes kombëtare. Ndërkaq, ngjarjet e mëdha janë rezultat i një pune të përditshme paraprake që këto organizime kanë bërë së bashku me popullin e Kosovës.
Mirënjohje për të gjithë ata që u përpoqën e kontribuan për liri e bashkim.

