Mër. Sht 30th, 2026

​Kurti: Asnjëherë s’kam pritur drejtësi nga Gjykata Speciale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se brenda kësaj jave qeveria do të kthejë përgjigje për Projektligjin për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Ai në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë tha se aktualisht janë në pritje të mendimit të zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe projeksionet buxhetore nga Ministria e Financave.

Pas dënimit nga Specialja me 81 vjet burgim për katër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, PDK-ja ka dorëzuar në Kuvend dhe Qeveri propozimet për ndryshim të këtij Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë, duke synuar që çështjet që nuk lidhen me akuzat për trafikim organesh, të barten në Kosovë, për shkallët e tjera të gjykimit.

Kurti: Brenda kësaj jave do të kthejmë përgjigje për ndryshimin e ligjit për Specialen

“Kemi një iniciativë ligjore nga PDK-ja, kjo është çështje e Kuvendit që i është drejtuar zyrës ligjore për opinion në Kryeministri. Zyra ligjore në Kryeministri ka kërkuar mendim nga zyra ligjore e Ministrisë së Drejtësisë dhe Departamenti për Buxhet në Ministrinë e Financave. Kjo është procedura e rregullt që bëhet për secilën iniciativë ligjore. Prej informatave që i kam deri tani, brenda kësaj jave do të kemi përgjigjen edhe si mendim të zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë dhe gjithashtu vlerësimin financiar të Ministrisë së Financave. Ne menjëherë do t’i japim përgjigje Kuvendit dhe aty do të vazhdojë procedura”, tha ai.

Kurti theksoi se asnjëherë s’ka pritur drejtësi nga Gjykata Speciale, derisa përmendi tri defekte kapitale që sipas tij i ka aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kurti: Asnjëherë s’kam pritur drejtësi nga Gjykata Speciale

“Te aktgjykimi i Dhomave të Specializuara, nga i cili nuk mund të them se kam pritur drejtësi, pasi asnjëherë s’e kam ndryshuar qëndrimin tim për këtë gjykatë. Janë tri defekte kapitale. I pari është cilësimi ndërmarrje e përbashkët kriminale. Nuk ka pasur ndërmarrje të përbashkët kriminale. Kjo duhet doemos të korrigjohet në apel, e dyta është se ka munguar transparenca dhe ka pasur njëfarë mënyre gjykatë monoetnike. Ju e dini se zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, si ish-deputet ka bërë një kallëzim penal në Dhomat e Specializuara që të trajtojnë edhe masakrën e Dubravës… Që nga prilli i vitit 2023, nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Dhomat e Specializuara. Karakteri monoetnik bashkë me mungesën e transparencës janë efekti i dytë kapital. I treti, natyrisht, janë pasaktësitë faktike dhe historike që i dëgjuam më datën 16 shtator”, potencoi Kurti.

Ai bëri thirrje që i gjithë spektri politik dhe shoqëror të jenë bashkë, derisa kërkoi edhe ndihmën e Shqipërisë që të dilet me një strategji shtetërore që ish-krerët e UÇK-së të dalin fitimtarë në apel.

Kurti kërkon ndihmën e Shqipërisë për ish-krerët e UÇK-së: Të bëhemi bashkë që të dalim fitimtarë në apel

“Duhet të jemi bashkë, jo vetëm spektri politik në Kosovë. Bashkë si shtet gjithsesi, bashkë si shoqëri padyshim, por bashkë edhe me Shqipërinë. Vetëm në këtë mënyrë, me një strategji të përbashkët shtetërore dhe qëllimin e përbashkët fitoren në apel, ne dalim triumgues. Për këtë gjë po kërkoj që sa më shumë të ketë bashkërendim dhe bashkëveprim. Çështja është e rëndësishme, nuk na falen gabimet. Nëse gabon rregullisht diçka qenësore, nuk është në rregull. Prandaj është e domosdoshme që jo vetëm me kryetarin Hamza dhe Abdixhiku, por edhe me subjektet e tjera parlamentare, sa më shumë të komunikojmë dhe të vazhdojmë përpara”, deklaroi Kurti.

Gjithashtu, Kurti deklaroi se Rusia dhe Serbia do të mundohen të përdorin Aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së kundër Kosovës.

Për këtë, Kurti ka kërkuar bashkëpunim në fushën e diplomacisë publike.

Kurti: Rusia dhe Serbia do të mundohen të përdorin aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së kundër Kosovës

“Natyrisht që duhet të ndërmarrim edhe një fushatë të përbashkët sa i përket diplomacisë publike, sepse natyrisht që do të ketë përpjekje nga Serbia dhe Rusia që aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të përdoret kundër Republikës së Kosovës, ndonëse është e qartë se nuk e kanë aq kollaj siç e kanë menduar, për shkak se e para, e ashtuquajtura Shtëpia e Verdhë, dhe i ashtuquajturi trafikim i organeve, që ishte shpikje e deputetit rus në Këshillin e Evropës, Konstatin Kosaçev, dhe kolegut të tij serb, nuk ia arriti as tek aktakuza dhe lerë më te aktgjykimi”, deklaroi Kurti./KosovaPress/

Postime të Ngjashme