Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se kufizimet e përkohshme në qarkullim për automjetet e transportit të mallrave me masë mbi 20 tonë në autoudhë, të cilat kanë hyrë në fuqi që nga dita e shtunë, do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme.
Sipas njoftimit, kufizimi do të zbatohet nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë ose tejkalojnë 32 gradë Celsius. Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi do të lejohet pa kufizime.
Nga ky vendim përjashtohen automjetet e organeve të rendit, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje operatorëve dhe drejtuesve që të respektojnë kufizimet dhe të planifikojnë lëvizjet sipas orarit të përcaktuar.

