Më 5 dhe 6 nëntor 2025, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, mori pjesë në punimet e seminarit të organizuar nga Ministria e Arsimit e Turqisë, përkatësisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Fetar, i cili u mbajt në Stamboll.
Përveç drejtuesve të arsimit nga Ministria e Arsimit e Turqisë, në takim ishin të pranishëm edhe këshilltarët për arsim pranë ambasadave turke në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe përgjegjësit për arsimin fetar pranë institucioneve të bashkësive islame të këtyre vendeve.
Gjatë punimeve të seminarit, kryeimami Sahiti, theksoi rolin dhe rëndësinë që kanë institucionet fetaro-arsimore të Bashkësisë Islame në përgatitjen e kuadrove, si dhe kontributin e tyre në ngritjen e vetëdijes, edukimin dhe fisnikërimin e besimtarëve.
Ai po ashtu nënvizoi nevojën e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve edukativo-arsimore në hartimin e kurrikulave, shkëmbimin e përvojave dhe përfitimin nga përvoja e pasur e shkollave “Imam Hatip” në Turqi, me qëllim të ngritjes së cilësisë së arsimit fetar dhe avancimit të institucioneve fetaro-arsimore në vendet tona.
Në fund, kryeimami Sahiti, theksoi rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës bashkëkohore arsimore dhe domosdoshmërinë që medresetë tona t’i plotësojnë ciklet e arsimit të ulët dhe të mesëm, në përputhje me nevojat bashkëkohore të arsimit fetar.
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, mori pjesë në punimet e seminarit të organizuar nga Ministria e Arsimit e Turqisë, përkatësisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Fetar, i cili u mbajt në Stamboll.

