Më 25 dhe 26 tetor 2025, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, mori pjesë në punimet e Forumit Ballkanik të Shoqërisë Civile dhe Organizatave Humanitare Bamirëse, i cili u mbajt në Stamboll të Turqisë.
Në kumtesën e tij, në seancën e parë të këtij Forumi, kryeimami Sahiti, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe theksoi se çelësi i suksesit qëndron në hartimin e një strategjie afatgjatë dhe në krijimin e një platforme të përbashkët, ku shoqëria civile dhe organizatat humanitare, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare me orientim fetar, bashkëveprojnë në koordinim të plotë me institucionet fetare zyrtare të vendeve përkatëse. Ai shtoi se një vizion i qartë dhe përpjekjet e përbashkëta janë thelbësore për t’i shërbyer njeriut dhe shoqërisë në përgjithësi, për një jetë dhe mirëqenie sa më të mirë.
Forumi Ballkanik ka për qëllim zhvillimin e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së organizatave humanitare dhe të shoqërisë civile në vendet e Ballkanit, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet tyre, si dhe ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme me organizata humanitare nga vende të ndryshme të botës. Po ashtu, Forumi synon avancimin e veprimtarisë në fushën e humanizmit dhe të shërbimeve sociale që kanë për qëllim mirëqenien e komunitetit.

