Pas më shumë se një viti të ngërçit politik, të mërkurën u konsolidua Kuvendi i Kosovës dhe u votua Qeveria e re.
Pas konstituimit të Kuvendit, të mërkurën Qeveria Kurti 3 mori besimin e deputetëve, për të udhëhequr me vendin në katër vitet e ardhshme.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhanë betimin, ndërkaq po ashtu u bë zgjedhje e kryetares së Kuvendit dhe nënkryetarëve.
Një proces i tillë u zhvillua pasi paraprakisht u arrit ujdi në takimin konsultativ për seancën konstituive të Kuvendit, takim ky që u mbajt nga ish-kryetari Dimal Basha.
Pas betimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryetare u zgjodh Albulena Haxhiu me 66 vota për, 44 kundër dhe 8 abstenime.
Ndërkaq, nënkryetarët e Kuvendit u zgjodhën në pako. Me 104 vota për, 3 deputetë kundër, 6 abstenime, nënkryetarë u zgjodh Ardian Gola nga LVV-ja, Vlora Çitaku nga PDK-ja, Kujtim Shala nga LDK-ja, Sllavko Simiq nga Lista Serbe si dhe Emilia Rexhepi nga komuniteti jo shumicë.
Pas konstituimit të Kuvendit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani mandatoi Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Kurti fjalimin para deputetëve të Kosovës si mandatar për formimin e Qeverisë e nisi me procesin gjyqësor në Hagë.
Ai bëri të ditur se seancat e Kuvendit u mbajtën pasdite për shkak të procesit gjyqësor që po mbahet në Hagë gjatë ditës.
Ai tha se kërkesa e Prokurorisë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin kur përfshihen edhe pretendimet për krimet kundër njerëzimit është orvatje që bie ndesh me të vërteten dhe mohon kontekstin historik dhe politik të luftës çlirimtare, raporton Telegrafi.
“Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës që unë e drejtoj është i qartë. Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit ndaj popullsisë civile shqiptare. E ato iu ka kryer regjimi i Jugosllavisë nën Millosheviqin. Kjo është e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarish.
Barazimi mes drejtues të UÇK-së dhe regjimit gjenocidal është i paqëndrueshëm, është shtrembërim faktik e historik”, tha ai.
Kurti tutje paraqiti ekspozenë për mandatin e tij të ardhshëm qeverisës.
Ai tha se gjatë mandatit të kaluar kanë ndërtuar një Kosovë më të drejtë dhe më fortë,
Sipas tij, vendi ka pasur rritjen më të madhe ekonomike në rajon.
“…Projektojmë që sivjet që Bruto Produkti Vendor të arrijë në 12 miliardë euro. Ndërsa, për herë të parë në mandatin e ardhshëm Bruto Produkti Vendor për kokë banori në Kosovë do të tejkalojë vlerën prej 10 mijë euro”, tha ai.
Kurti më tej foli edhe për inflacionin, ku tha se Kosova është vendi me shkallën më të ultë me inflacion pas Shqipërisë.
Ai po ashtu përmendi rritjen e pagës minimale, shtesat, pensionet, etj.
“Rritjen ekonomike nuk e kemi mbajtur në shtet, por e kemi shpërndarë në popullsi”, tha ai.
Kurti theksoi tutje se gjatë mandatit të ardhshëm do të dyfishohen shtesat për fëmijë. “Pra nga 0 sa i gjetëm në 45, dhe mandatin e radhës nga 45 në 90 euro për fëmijë, për familjet me tre e më shumë fëmijë”, tha ai.
Kurti më tej tha se do të rriten edhe shtesat për nënat e reja, lehonat në 500 euro në muaj për gjashtë muaj.
Kryeministri i Kosovës në Kuvend foli edhe për fushën e mbrojtjes, duke thënë se në mandatin e ardhshëm qeverisës do të investojnë 1 miliard euro në mbrojtje.
“Në katër vitet e ardhshme do të forcojmë aleancat, do të investojmë 1 miliard euro në mbrojtje, do të rekrutojmë ushtarë të rinj, do të shumëfishojmë numrin e oficerëve, do ta funksionalizojmë fabrikën e municionit, do ta zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës dhe do të prodhojmë dronët luftarakë ‘Made in Kosova’”, ka premtuar Kurti.
Kryeministri ka folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë, duke shtuar se normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve në mes dy shteteve. Ai tha se do të vazhdojë të mbështesin Procesin e Berlinit.
Para votimit të Qeverisë kanë folur edhe përfaqësues të partive politike.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha se legjislatura e dhjetë fillon punën në një moment të rëndësishëm për vendin, kur qytetarët presin stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe institucione me integritet të lartë profesional.
Hamza para deputetëve: PDK do të jetë gardiane e Kushtetutës, drejtësisë në Hagë dhe e interesit shtetëror
Ai para deputetëve tha se PDK do të jetë gardiane e Kushtetutës, drejtësisë në Hagë dhe e interesit shtetëror.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se LDK shpreh gatishmërinë e saj për bashkëpunim, në vlerat shtetërore, sepse stabiliteti i shtetit ndërtohet me maturi dhe respekt për opozitën dhe me vetëdije se demokracia nuk është vetëm çështje numrash, por e vetëdijes së lartë politike.
Ai shtoi se sot vullneti i qytetarëve merr formë, pasi tashmë është konstituar Kuvendi, por që sipas tij nuk është i duhuri.
E deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se Albin Kurti ka themeluar një kabinet qeveritar që është i përmasave të Kinës.
Sipas tij, ky kabinet qeveritar nuk është asgjë tjetër përveç akomodim i një pushteti të marr në mënyrë demokratike, por që synim të vetëm e ka të shtyjë një agjendë partiake.
E pas fjalimit të Albin Kurtit dhe përfaqësuesve të partive politike në Kuvend, doli në votim Qeveria Kurti 3, që u votua me 66 vota për, 49 kundër dhe asnjë abstenime.
Kabineti qeveritar i drejtuar nga Kurti që do t’i ketë 19 ministri.
Votohet Qeveria “Kurti 3”
Ky është mandati i tretë qeverisës i Kurtit, derisa Kosova kaloi një vit pa të, shkaku i bllokadave të krijuara.
Ky është kabineti qeverisë:
Zv. Kryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme – Glauk Konjufca;
Zv/kryeministre e dytë dhe Ministre e Drejtësisë – Donika Gërvalla;
Zv/kryeministër për çështje të pakicave dhe bashkëpunim – Fikrim Damka;
Ministër i Financave – Hekuran Murati;
Ministër për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare – Andin Hoti;
Ministër i Mbrojtjes – Ejup Maqedonci;
Ministër i Punëve të Brendshme – Xhelal Sveçla;
Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit – Lulëzon Jagxhiu;
Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitia;
Ministër i Arsimit dhe Shkencës – Hajrullah Çeku;
Ministër i Kulturës dhe Turizmit – Saranda Bogujevci;
Ministër i Sportit dhe Rinisë – Blerim Gashani;
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal – Elbert Krasniqi;
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Fitore Pacolli;
Ministër i Bujqërisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Armend Muja;
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit – Dimal Basha;
Ministër i Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane – Mimoza Kusari;
Ministre e Ekonomisë – Artane Rizvanolli;
Ministër për Komunitete dhe Kthim – Nenad Rashiq;
Ministër për Zhvillim Rajonal – Rasim Demiri.

