Pre. Gus 7th, 2026

Kosova shpall “non grata” shefin e Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiq

Kosova shpall “non grata” shefin e Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiq

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka marrë vendim që shefi i Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiq, të shpallet person i padëshirueshëm (non grata) në Republikën e Kosovës, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen, qëndrimin dhe kalimin transit në territorin e vendit.

Sveçla tha se vendimi është marrë pas deklaratave publike të Luçiqit, të cilat, sic tha ai, cenojnë rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Askush nuk mund të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës dhe nga këtu, të veprojë apo të deklarohet kundër rendit tonë kushtetues, sovranitetit dhe integritetit territorial. Nuk do të tolerojmë promovimin apo mbështetjen e politikave që cenojnë autoritetin e institucioneve tona dhe vënë në pikëpyetje shtetësinë e Republikës së Kosovës”, deklaroi Sveçla.

Ai bëri të ditur se, bazuar në këto deklarata, ka vendosur që Vladimir Luçiq të shpallet person i padëshirueshëm në Kosovë.

“Për këtë arsye, bazuar në deklaratat publike të shefit të Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiq, kam marrë vendim që ai të shpallet person i padëshirueshëm (non grata) në Republikën e Kosovës, me ndalim të përhershëm të hyrjes, qëndrimit dhe kalimit transit në territorin e Republikës së Kosovës”, theksoi ministri.
Në fund të reagimit, Sveçla ritheksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë rendin kushtetues dhe sovranitetin e vendit.

“Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran. Institucionet tona do të vazhdojnë të mbrojnë me vendosmëri rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, u shpreh ai.

Sveçla nuk specifikoi se cilat deklarata të Vladimir Luçiqit shërbyen si bazë për marrjen e këtij vendimi.

Çka tha Luciq?
Në deklaratat e tij të fundit publike, Vladimir Luçiq përsëriti qëndrimet e Beogradit ndaj Kosovës, duke iu referuar vazhdimisht vendit si “Kosovë dhe Metohi” dhe duke mos njohur institucionet e saj. Ai njoftoi zgjerimin e investimeve të Telekom Srbija në komunat me shumicë serbe, duke paralajmëruar ndërtimin e objekteve të reja të kompanisë në Partesh, Pasjan, Zubin Potok, Ranillug dhe Shtërpcë, ndërsa tha se synimi është zgjerimi i rrjetit në “tërë territorin e Kosovës dhe Metohisë”.

Luçiq akuzoi institucionet e Kosovës se po ushtrojnë presion ndaj serbëve dhe kompanive serbe me qëllim “shpërnguljen e serbëve”, pretendoi se Prishtinës “nuk mund t’i besohet” sepse nuk respekton marrëveshjet, si dhe tha se Telekom Srbija po kërkon mbështetjen e administratës amerikane për të siguruar një licencë të përhershme për telefoninë mobile në Kosovë. Ai deklaroi gjithashtu se kompania synon të bëhet operatori më i madh në Kosovë dhe se “nuk ka ndërmend të largohet nga ky territor”.

Postime të Ngjashme