Në orët e mbrëmjes të së martës, ekipi i Telegrafit mori rrugën drejt Bratislava, aty ku në mëngjesin pasues ndjehej se diçka e madhe po afrohej. Ishte qyteti ku Kombëtarja e Kosovës kërkon historinë.
Për herë të parë, “Dardanët” janë pjesë e një “play-off”-i për Kupën e Botës – një mundësi e artë, e fituar me meritë pas një kampanje të jashtëzakonshme, duke lënë pas emra të mëdhenj si Suedia dhe Sllovenia.
Shorti i vuri përballë Sllovakinë, një kundërshtar i fortë, por edhe një përballje me peshë përtej fushës. Takimi me historinë është caktuar të enjten, në ora 20:45.
Bratislava – sheshet që u “pushtuan” nga Dardanët
Bratislava është kryeqyteti sllovak, është një rrëfim i qetë që shtrihet përgjatë lumit Danub. Në zemër të saj rreh qyteti i vjetër, një labirint rrugicash të ngushta ku koha duket sikur ka ndalur, por që njëkohësisht të mbush me emocion.
Ndërtesat e vjetra, kafenetë e bukura, monumentet fetare dhe artistike krijojnë një tablo që merr frymë lirshëm mes pemëve dhe dritave të mbrëmjes.
Lart mbi qytet qëndron kështjlla e Bratisllavës, prej nga hapet një pamje mahnitëse e Danubit dhe qytetit.
Por këtë herë, diçka ishte ndryshe.
Në mbrëmje, kafenetë e qendrës së vjetër nisën të mbusheshin me shqiptarë. Dardanët vinin grupe-grupe, të bindur në fitore.
Këngët nuk pushuan deri në orët e vona, atmosfera ishte elektrizuese.
Qyteti i vjetër dukej më i gjallë se kurrë – sikur vetë Bratislava të ishte zgjuar për këtë moment, në pritje të së enjtes.
Në kontrast me qetësinë historike, Tehelné pole Stadium përfaqëson ritmin modern të qytetit. Një arenë që ka parë dekada histori – e ndërtuar fillimisht në vitin 1940, e rrënuar në vitin 2013 dhe e rilindur në vitin 2019 si një stadium modern.
Sot, me mbi 22 mijë ulëse, është shtëpia e klubit më të madh sllovak, Slovan Bratislava. Por për një natë, do të jetë diçka më shumë se kaq.
Mbi 7 mijë tifozë shqiptarë pritet të jenë në shkallët e stadiumit. Një “pushtim” i vërtetë dardan, ku ngjyrat kuqezi dhe thirrjet për Kosovën do ta mbulojnë çdo cep të arenës.
Ka vetëm një qëllim: fitorja. Një hap drejt finales së “play-off”-it dhe më pas drejt një ëndrre edhe më të madhe – Kampionatit Botëror.
Foda dhe Muriqi, me besim drejt fitores
Në konferencën për shtyp, përzgjedhësi Franco Foda foli me qetësi, por me vendosmëri. Ai theksoi përgatitjen e mirë të skuadrës dhe fokusin në aspektin taktik, duke kujtuar fitoret e mëdha si mysafir ndaj Islandës, Suedisë dhe Sllovenisë.
“Synojmë fitoren”, ishte mesazhi i tij i qartë.
Nga ana tjetër, sulmuesi Vedat Muriqi u shfaq i sigurt dhe plot vetëbesim. Ai nuk hezitoi të marrë përgjegjësinë për një penallti të mundshme, duke treguar mentalitetin e një lideri në fushë. Madje, me humor foli edhe për përballjen me bashkëlojtarin e tij te Mallorca, Martin Valjent, këtë herë si kundërshtar.
Nesër – përballja me historinë
Gjithçka është gati. Qyteti pret. Stadiumi pret. Tifozët janë gati. Dhe Kosova është vetëm një ndeshje larg historisë.
Të enjten, në ora 20:45, nuk është thjesht një ndeshje futbolli. Është një moment që mund të ndryshojë gjithçka. Një natë ku ëndrra takohet me realitetin.

