Ish-shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka ngritur shqetësime mbi shpërndarjen e pyetjeve të provimit të maturës shtetërore.
Ajo ka deklaruar se, qysh kur ishte anëtare e Komisionit për Arsim në Kuvend, kishte propozuar ndryshime në Ligjin për provimin shtetëror të maturës, .
“Po të kishit dashur, problemin e kopjimit e kishit zgjidhur me një tender! Madje me procedurë njëburimore siç keni vepruar për qindra miliona euro në raste të tjera. Në atë rast sot këto pajisje do të ishin nëpër sallat e testimit dhe maturantëve do të iu sigurohej një ambient i sigurtë e i drejtë!” tha Lushaku-Sadriu.
Ky është postimi i plotë i saj:
PADREJTËSIA E SHTETIT NDAJ MATURANTËVE
Si anëtare e Komisionit për Arsim në Kuvend të Kosovës kam propozuar ndryshimet në Ligjin për Provimin Shtetëror të Maturës, dhe kam kërkuar masa konkrete për ta mbrojtur integritetin e testit:
Monitorim të avancuar dhe pajisje elektronike që do ta bënin të pamundur komunikimin dhe kopjimin në sallat e testimit. Ky propozim ishte refuzuar!
Ministri Çeku e pati kundërshtuar me arsyetimin se procedurat e blerjes së pajisjeve elektronike marrin kohë.
Po çfarë kohe ju duhej?
Po të kishit dashur, problemin e kopjimit e kishit zgjidhur me një tender! Madje me procedurë njëburimore siç keni vepruar për qindra miliona euro në raste të tjera. Në atë rast sot këto pajisje do të ishin nëpër sallat e testimit dhe maturantëve do të iu sigurohej një ambient i sigurtë e i drejtë!
Pra, ky është një dështim që është paralajmëruar, por nuk ka pasur vullnet që të përmirësohet! E kjo do të shkaktojë shumë padrejtësi në mes të nxënësve dhe e bën testin të pavlerë!
Kjo Qeveri nuk e ka pasë arsimin asnjëherë prioritet dhe këtë fakt do t’a vuajnë fëmijët e Kosovës!
Me dështimin e Ministrisë së Arsimit, Ministri Çeku do të duhej të jep përgjegjësi e dorëheqje menjëherë.

