Pre. Mar 13th, 2026

Konjufca mirëpret heqjen e fusnotës për Kosovën

Komiteti i rajoneve i Bashkimit Evropian ka vendosur të heqë asteriskun dhe fusnotën nga përdorimi për Kosovën në dokumentet e tij zyrtare, me qëllim që terminologjia të harmonizohet me atë të Parlamenti Evropian.

Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar në rrjetin social X zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Ai e ka mirëpritur vendimin e Komitetit të rajoneve për të ndërprerë përdorimin e termit “Kosova*” dhe fusnotës shoqëruese në dokumentet publike, duke theksuar se ky hap e afron këtë institucion me qëndrimin e Parlamentit Evropian dhe sjell më shumë qartësi institucionale në lidhje me perspektivën evropiane të Kosovës.

“Ne mirëpresim vendimin e Komitetit të rajoneve për të ndërprerë përdorimin e ‘Kosovo*’ dhe fusnotës shoqëruese në dokumentet e tij publike. Ky hap e rreshton Komitetin me Parlamentin Evropian dhe pasqyron një qartësi më të madhe institucionale sa i përket perspektivës evropiane të Kosovës”, ka shkruar ai.

Konjufca gjithashtu ka shprehur falënderim të veçantë për Gillian Coughlanin, kryetare e Grupit të punës për Kosovën në Komitetin e rajoneve dhe raportuese për zgjerimin, për mbështetjen e saj parimore dhe angazhimin e vazhdueshëm për Kosovën.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *