Sqarim lidhur me fushatën denigruese ndaj Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava
Ditëve të fundit, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, është bërë objekt i një fushate denigruese nga disa portale dhe emisione të ashtuquajtura “hulumtuese”, të cilat janë ngritur mbi shpifje, insinuata dhe pretendime krejtësisht të pavërteta.
Shkrimet e para për këtë çështje janë injoruar nga ana jonë, të bindur në të vërtetën që e dimë të gjithë. Megjithatë, duke e parë se këto publikime po vazhdojnë misionin e tyre dhe kanë kaluar në një fushatë të orkestruar denigruese ndaj Myftiut Naim ef. Tërnava dhe familjes së tij, me pretendime të rreme se gjoja një i afërm i Myftiut është i përfshirë në çështje të fajdeve, duke e paraqitur Myftiun si “viktimë” dhe madje duke shprehur një lloj keqardhjeje të shtirur, ndihemi të detyruar që, për hir të së vërtetës dhe për sqarimin e opinionit të gjerë e të besimtarëve tanë, të dalim me këtë komunikatë.
Theksojmë qartë dhe prerazi se në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë dhe asnjëherë, as Myftiu Naim ef. Tërnava dhe as ndonjë anëtar i familjes së tij nuk kanë të bëjnë me pretendimet e ngritura ditëve të fundit nga qarqe dhe portale të ndryshme.
Jemi të vetëdijshëm se fushata të tilla kundër Myftiut Tërnava i konvenojnë shumëkujt dhe shumë qarqeve, për shkak të punës dhe aktivitetit të tij të pandalshëm në të mirë të Bashkësisë Islame të Kosovës, të komunitetit dhe të vendit.
Nuk habitemi kur segmente të caktuara të shoqërisë angazhohen për ta dëmtuar me shpifje, akuza dhe pretendime të pabazuara, të cilat synojnë të lëndojnë ndjenjat e besimtarëve tanë.
Megjithatë, si edhe më parë, fushata të tilla me qëllime dashakeqe dhe tendencioze ndaj familjes së Myftiut, ndaj vetë Myftiut dhe ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës, do të përfundojnë të turpëruara.
Prandaj, edhe një herë sqarojmë opinionin publik se nga fushata denigruese e ngritur ditëve të fundit nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimet e publikuara në disa portale dhe emisione të ashtuquajtura “hulumtuese”.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës

