Një tërmet prej 4.8 ballësh shkaktoi dridhje të ndjeshme në Prishtinë dhe jo vetëm.
Ndonëse epiqendra ishte në lindje të Prizrenit, dridhjet u ndjenë në të gjithë Kosovën.
Komuna e Prishtinës ka dhënë disa udhëzime të rëndësishme për qytetarët, për të rritur sigurinë në këtë lloj situate.
Udhëzimet përfshijnë qëndrimin larg dritareve dhe objekteve që mund të bien, të dilni me kujdes në hapësira të hapura, mos të përdorni ashensorët, e kështu me radhë.
Ky është njoftimi i plotë i Komunës:
Të nderuar qytetarë,
Sonte, në ora 22:05, një tërmet me magnitudë 4.8 ka goditur juglindjen e Kosovës (zona Prizren–Shtërpcë).
Tërmeti është ndier në disa pjesë të vendit. Deri tani nuk ka raportime për të lënduar apo dëme serioze. Institucionet përkatëse po e monitorojnë situatën në vazhdimësi.
Udhëzime të rëndësishme për qytetarët:
• Nëse ka lëkundje të tjera, qëndroni larg dritareve dhe objekteve që mund të bien.
• Brenda ambienteve, strehohuni nën tavolinë të fortë ose pranë një muri mbajtës.
• Pas lëkundjeve, dilni me kujdes në hapësira të hapura.
• Mos përdorni ashensorët dhe shmangni lëvizjet e panevojshme.
• Kontrolloni banesat dhe ndihmoni personat që kanë nevojë.
• Informohuni vetëm nga burime zyrtare.
Çdo informacion i ri do të publikohet përmes kanaleve zyrtare.
Për emergjenca lajmërohuni në 0800122 33 ose 0800122 44
Siguria juaj është prioriteti ynë.

