Mar. Qer 9th, 2026

KGJK-ja cakton datat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj nga gjykatat themelore

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka caktuar datat për mbajtjen e proceseve zgjedhore për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të këtij institucioni nga gjykatat themelore të vendit.

Në mbledhjen e KGJK-së, kryesuesi Rrustem Thaqi njoftoi se është miratuar vendimi për organizimin e zgjedhjeve për kandidatin e nominuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Për kandidatët e nominuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që do të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 16 qershor, e martë, me fillim nga ora 13:30. Aprovohet lista e gjyqtarëve që kanë të drejtë vote në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Aprovohet forma e fletëvotimeve për raundin e parë dhe eventualisht raundin e dytë që do të përdoret në procesin e zgjedhjes së kandidatit të nominuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Aprovohet forma e raportit të komisionit që do të përdoret në raundin e parë dhe eventualisht në raundin e dytë në procesin e zgjedhjes së kandidatit të nominuar për anëtar të KGJK-së nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Aprovohet forma e raportit të zyrtarit të autorizuar nga Sekretariati i KGJK-së që do të përdoret në procesin e zgjedhjes së kandidatit të nominuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Dhe vendimi hyn në fuqi më 9 qershor 2026”, tha Thaqi.

Sipas kalendarit të miratuar, procesi i zgjedhjes së anëtarëve të KGJK-së do të vazhdojë edhe në gjykatat e tjera themelore.

Në Gjykatën Themelore në Gjilan, zgjedhjet do të mbahen më 17 qershor duke filluar nga ora 10:00, ndërsa po atë ditë në Gjykatën Themelore në Ferizaj procesi do të nisë nga ora 14:00.

Më 18 qershor, zgjedhjet do të zhvillohen në Gjykatën Themelore në Mitrovicë nga ora 10:00 dhe në Gjykatën Themelore në Pejë nga ora 14:00.

Ndërkaq, në Gjykatën Themelore në Prizren procesi zgjedhor do të mbahet më 19 qershor, me fillim nga ora 11:00.

Pas përfundimit të proceseve zgjedhore në nivel të gjykatave themelore, tubimi zgjedhor do të mbahet më 23 qershor nga ora 13:00, ku pritet të finalizohet përzgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Postime të Ngjashme