Më 1 nëntor, shtetasi serb i Kosovës Millosh Vukashinoviq, u plagos dhe u kidnapua nga xhandarmëria e Serbisë, në zonën e njohur si “pika zero” në afërsi të Leposaviqit, zonë kjo që i përket Republikës së Kosovës.
Por, ky nuk ishte rasti i vetëm që njerëz të uniformuar të Serbisë hynë brenda territorit të Kosovës në periudhën e fundit.
Klankosova.tv ka në posedim një video të datës 15 tetor ku shihen forca të armatosura serbe brenda territorit të Kosovës, përkatësisht në fshatin Metergoc të Podujevës, që është zonë kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
E kjo u konfirmua në një përgjigje për Klankosova.tv nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë.
“Ne jemi në dijeni të kësaj ngjarjeje më 15 tetor. Ne ishim në kontakt me Forcat e Armatosura Serbe. Bazuar në informacionin e tyre, personeli i xhandarmërisë serbe po ndiqte individë të përfshirë në aktivitete të paligjshme të prerjes së pyjeve. Sapo kuptuan se kishin kaluar Vijën Kufitare Administrative (ABL), ata u kthyen menjëherë në anën e Vijës Kufitare Administrative të Serbisë”, thuhet në përgjigje

