Këshilltari i deritanishëm për siguri i presidentit të Malit të Zi, Dejan Vukshiq dhe ish drejtor i Shërbimit sekret të Malit të Zi, bashkë me sekretaren shtetërore në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Mirjana Pajkoviq, kanë dhënë dorëheqje nga funksionet e tyre, pasi në publik u publikuan pamje me përmbajtje eksplicite ku shfaqet Pajkoviq.
Të dy zyrtarët kanë deklaruar se dorëheqjet janë dhënë për arsye personale dhe kanë pohuar se janë viktima në këtë rast. Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Sigurisë (ANB) është distancuar nga çdo përfshirje në këtë aferë, raportojnë mediat serbe.
Dejan Vukshiq, ish-drejtor i shërbimit sekret ANB, ka mohuar kategorikisht akuzat ndaj tij, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me publikimin e pamjeve komprometuese.
“Mohoj të gjitha pretendimet e pasakta dhe tendencioze me të cilat, pa prova, tentohet të më ngarkohet përgjegjësi për cenimin e privatësisë së Pajkoviq dhe shpërndarjen e pamjeve. Këto materiale i kam parë për herë të parë vetëm pasi filluan të qarkullonin në mënyrë të paligjshme në rrjetet sociale”, tha ai.
Sipas Vukshiqit, Pajkoviq ka marrë në mënyrë të paligjshme telefonin celular në tetor të vitit 2024, i cili më pas është keqpërdorur. Ai thotë se një audio-incizim, ku dëgjohet duke i bërë presion Pajkovićit, është reagim i drejtpërdrejtë ndaj kësaj vjedhjeje dhe se telefonata është bërë nga telefoni fiks i zyrës së presidentit Jakov Milatoviq.
Ai shtoi se në mars të vitit 2025 ka marrë mesazhe kërcënuese nga një numër i panjohur, së bashku me pamjet komprometuese, me qëllim që ta detyronin të hiqte dorë nga kandidatura për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Për këtë arsye, ai ka paraqitur kallëzim penal ndaj Pajkoviqit dhe personave të panjohur.
Vukshiq deklaron gjithashtu se Pajkoviqmë vonë e ka kontaktuar duke kërkuar “t’i rregullonte diçka” për t’u “shlyer”, çka ai e ka interpretuar si tentativë të re shantazhi, kësaj here të lidhur me kandidaturën e saj për Avokate të Popullit.
Ai pretendon se kallëzimi penal i dorëzuar nga Pajkoviqnë fund të dhjetorit 2025 është bërë me qëllim diskreditimin e tij para zgjedhjes së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe Avokatit të Popullit.
Vukshiq ka deklaruar se është i gatshëm t’i nënshtrohet testit të poligrafit dhe ka paralajmëruar padi ndaj të gjithë atyre që, sipas tij, e kanë shpifur dhe kërcënuar në rrjetet sociale.
Nga ana tjetër, Mirjana Pajkoviqka paraqitur tri kallëzime penale në polici për shpërndarje të paautorizuar të përmbajtjes eksplicite. Ajo dyshon se pikërisht Dejan Vukshiq, si ish-drejtor i ANB-së, ka keqpërdorur pozitën dhe informacionet e sigurisë për ta kërcënuar me publikimin e materialeve komprometuese.
Si provë, ajo ka publikuar një audio-incizim ku, sipas saj, dëgjohet Vukshiq duke i thënë se “e gjithë Mali i Zi do t’i shohë” fotografitë dhe videot komprometuese.
Agjencia Kombëtare e Sigurisë ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me publikimin e materialeve private, duke theksuar se respekton plotësisht të drejtat kushtetuese dhe se përmbajtje të tilla nuk janë objekt interesi i saj.
Deri më tani, Prokuroria e Shtetit nuk ka dalë me qëndrim zyrtar, ndërsa mbetet e paqartë nëse rasti do të përfundojë në gjykatë.
Sipas ligjeve të Malit të Zi, shpërdorimi i pamjeve, fotografive apo materialeve seksualisht eksplicite të personave të tjerë, i njohur si “pornografi hakmarrëse”, përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burg. Në rastet kur viktima është e mitur, dënimi mund të arrijë nga dy deri në dhjetë vjet burg.

