Hën. Jan 26th, 2026

Ismet Kryeziu nga KDI kërkon përsëritjen e zgjedhjeve në Prizren

Ismet Kryeziu nga KDI ka kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve në këtë komunë, dhe sipas tij është cenuar integriteti i procesit të fundit zgjedhor.

Në një reagim në Facebook, Kryeziu thotë se zbulimi i parregullsive dhe manipulimeve ka prekur mbi 60 mijë vota të qytetarëve, gjë që, sipas tij, e bën procesin të papranueshëm për t’u certifikuar.

“Si qytetar dhe votues i Komunës së Prizrenit, shpreh shqetësimin tim, por edhe të shumë bashkëqytetarëve të mi, lidhur me cenimin e integritetit të procesit të fundit zgjedhor”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai thekson se shkarkimi i anëtarëve të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, arrestimi dhe ngritja e aktakuzave ndaj mbi 100 komisionerëve zgjedhorë, si dhe korrigjimi i votave për kandidatë të caktuar, janë dëshmi se procesi ka qenë i komprometuar rëndë.

“Këto zhvillime dëshmojnë se ky proces ka qenë thellësisht i kontaminuar”, ka theksuar ai.

Sipas Kryeziut, edhe pse janë ndërmarrë hapa për anulimin e votave të manipuluara, kjo nuk mjafton për të rikthyer besimin e qytetarëve.

“Korrigjimet teknike asnjëherë nuk janë të mjaftueshme për të rikthyer besimin publik dhe për të garantuar se rezultati përfundimtar pasqyron realisht vullnetin e lirë të qytetarëve”, është shprehur ai.

Ai shton se, pavarësisht se institucionet e drejtësisë ende nuk kanë dhënë vendime përfundimtare për përgjegjësinë individuale të KLIKO KETU PER POSTIMIN E PLOTEkandidatëve, besimi në integritetin e përfaqësuesve të zgjedhur është dëmtuar rëndë.

“Në një demokraci funksionale, legjitimiteti i mandatit buron jo vetëm nga ligjshmëria formale, por edhe nga besueshmëria e procesit që e prodhon atë”, ka deklaruar Kryeziu.

Duke folur për pasojat politike, ai thekson se qytetarët e Prizrenit nuk duhet të penalizohen për parregullsi që nuk i kanë shkaktuar vetë, as të mbesin pa përfaqësim në Kuvend.

“Mendoj që votuesit e Prizrenit nuk do të duhej të penalizohen për parregullsitë që nuk i kanë shkaktuar vetë”, ka shtuar ai.

Kryeziu ka bërë thirrje për përsëritjen e zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit, duke e cilësuar këtë si zgjidhjen e vetme të drejtë dhe proporcionale.

“Kërkoj përsëritjen e zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit, si mjeti i vetëm për të rivendosur besimin në procesin zgjedhor dhe në përfaqësimin politik të qytetarëve”, ka shtuar ai.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *