Të mërkurën pati përleshje të dhunshme midis protestuesve antiqeveritarë dhe forcave të sigurisë në disa vende në Iran, teksa një valë trazirash e shkaktuar nga kriza ekonomike e vendit vazhdoi për të 11-ën ditë.
Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars e Iranit, e cila është e afërt me Gardën Revolucionare, tha se dy policë u qëlluan dhe u vranë nga individë të armatosur në qytetin jugperëndimor të Lordeganit.
Videot e postuara në mediat sociale shfaqin përleshje të tensionuara midis protestuesve dhe forcave të sigurisë, me tinguj armësh në sfond, shkruan BBC-i, .
Në pamjet filmike nga disa zona të tjera, forcat e sigurisë duket se qëllojnë me armë dhe gaz lotsjellës drejt turmave të protestuesve, disa prej të cilëve po hedhin gurë.
Protestat deri tani janë përhapur në 111 qytete dhe qyteza në të 31 provincat, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA.
Është raportuar se të paktën 34 protestues dhe katër anëtarë të personelit të sigurisë janë vrarë gjatë trazirave dhe se 2,200 protestues janë arrestuar.
Protestat filluan më 28 dhjetor, kur dyqanxhinjtë dolën në rrugët e kryeqytetit, Teheran, për të shprehur zemërimin e tyre për një rënie tjetër të ndjeshme të vlerës së monedhës iraniane, rialit, kundrejt dollarit amerikan në tregun e hapur

