Die. Dhj 14th, 2025

Inflacioni në rritje, shporta familjare gjithnjë e më e papërballueshme

Si shumë familje, edhe ajo e Artan Dubovës që jeton në Prishtinë mezi po arrin të ia dal me çmimet e produkteve esenciale. 45 vjeçari thotë se nuk janë të rralla netët kur detyrohen të flenë pa ngrënë.

Ai thotë për emisionin ekonomik `Shtylla` të realizuar nga KosovaPress, se rritja e çmimeve po i shtyn drejt kufijve të mbijetesës.

Dubrova shton se nuk ka as mjete për ngrohje dhe se mishi është bërë luks për të, duke kërkuar rritje të ndihmave sociale nga shteti.

“Tre anëtarë jemi të familjes. Me një social jetojmë, nga pak çka te mundemi punojmë unë e djali, rreth 400 euro ( i kemi të ardhurat mujore), por nuk po mund të ja dalim. Qiraja, rryma, ushqimi, pija, veshja, nuk po mund të mbijetojmë…Çmimet çdo ditë po rriten, kështu që nuk po kemi nga me ja mbajt…kemi flejtë shumë herë, me dy-tre ditë pa ngrënë, veç po pres kur të më thonë lëshoni shtëpinë, sepse, as qiranë nuk po kam me çka të pagujë…As dru nuk kam…Mish e këto merr malli kur kam ngrenë, sepse shtrenjtë, nuk po kam mundësi me ble…Duhet të rriten (ndihmat sociale) por shteti i ka këto punë në dorë”, rrëfen ai.

Hallin e rritjes së çmimeve e kanë thuajse të gjithë. Dikush më shumë e dikush më pak ankohen se me këtë situatë nuk po arrijnë të ia dalin.

Qytetari nga Prishtina shprehet se situata ekonomike aktuale është më e vështira që ka përjetuar ndonjëherë. Sipas tij, shumica e familjeve po përballen me vështirësi serioze, përjashtuar zyrtarët e lartë shtetërorë, të cilët, siç thotë ai, nuk e njohin realitetin e varfërisë.

“Kurrë nuk ka qenë më vështirë se tash.. Jo asnjë familje, përpos e deputetëve e kryeministrave të cilët nuk dinë se çka do të thotë varfëria,, për ata unë nuk kam fjalë”, ka thënë Hoti.

Një pensioniste shprehet se me pensionin prej 230 eurosh në muaj nuk po arrin të përballojë shpenzimet jetësore dhe se është e detyruar të kërkojë ndihmë tek shoqet e saja për t’ia dalë.

“Si jo, nuk po mundemi me ia dalë.. Nuk po mundem me ia dalë, po shkoj tek shoqet e mia, po pensionere, 230 euro po i marrë”, është shprehur ajo.

E ky nuk është vetëm perceptim i qytetarëve. Në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit të Kosovës, vërehet dukshëm një rritje për periudhën 2024-2025. Inflacioni vjetor për periudhën janar – nëntor 2025 është 5.3 për qind. Ndërsa, për vitin 2024, 1.6 përqind, në vitin 2023 4.9 përqind.

Madje, njohësi i ekonomisë, Ilir Hajdini thotë se rritja është edhe më e madhe se që raportohet nga institucionet. Sipas tij, shtrenjtimi i rrymës ka pasur ndikimin më të madh.

Sipas tij, shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe importi i madh I mallrave kanë pasur ndikimin kryesor në rritjen e inflacionit të përgjithshëm në vend, duke reflektuar drejtpërdrejt në përvojën e përditshme të qytetarëve.

“Rritja është signifikante, kemi një rritje të madhe. Në çoftë se i shikojmë raportet e rritjes, është diku rreth pesë për qind rritjes së çmimeve, mirëpo nëse shohim përvojën e qytetarëve, rritja e çmimeve është më e madhe sesa ajo që po raportohet nga institucionet e shtetit..Energjia ka pasur një ndikim të fuqishëm në rritjen e inflacionit të përgjithshëm në shoqërinë e vendit tonë”, ka shtuar Hajdini.

Kryetari i Shoqatës së Konsumatorit, Selatin Kaçaniku thotë për KosovaPress, se rritje reale të çmimeve ka, ndërsa zbritjet nuk vërehen. Ai thekson se çdo lëvizje në treg rëndon mbi konsumatorin, i cili njëkohësisht është edhe taksapagues.

Sipas Kaçanikut, shtresa që dikur konsiderohej e varfër tashmë ka falimentuar, ndërsa shtresa e mesme po mbijeton prej kohësh përmes kredive, çka sipas tij dëshmon mungesë të politikave dhe programeve serioze për mbrojtjen e konsumatorit nga ana e qeverive.

Kaçaniku: Falimentimit po i kërcënohet të ashtuquajturës shtresë e mesme, ka muaj e vite që po mbijeton me linja kreditore

“Zbritje reale të çmimeve nuk ka, ngritje reale ka, çdo lëvizje në treg, e paguan blerësi i fundit, blerësi i fundit është qytetari konsumatorë i cili njëherësh është taksa pagues.. Ne paguajmë për shtet, po përfaqësuesit tanë te shteti e bëjnë më të voglën për ne.. Shtresa që dikur quhej e varfër, mes të cilës një e treta ishte në varfëri të skajshme tashmë ka falimentuar, u bënë pesë vite pa kujdes elementar. Falimentimit po i kërcënohet të ashtuquajturës shtresë e mesme, ka muaj e vite që po mbijeton me linja kreditore, kjo pasqyron që diçka nuk është në rregull dhe se mungon kujdesi ndaj nesh si qytetarë konsumatorë. Kjo dëshmon po ashtu se as ky legjislator qeveritar, njësoj si të mëparshmet nuk ka program për mbrojtjen e konsumatorit”, ka thënë Kaçaniku.

Agjencia e Statistika të Kosovës ka dërguar edhe një raport me çmimet e produkteve esenciale gjatë vitit 2024 dhe periudhës janar-tetor 2025.

Në këtë raport 1 kg oriz në vitin 2024 ka kushtuar 1.68 euro, në tetor 1.77. Mielli në 2024 ishte 0.81 Cent, ndërsa në tetor 0.84 cent, buka 500 gr në 2024 0.52 cent, në tetor 0.84, mish pule në 2024 ka qenë 4.08 euro një kilogram, në tetor 4.64 euro.

Ndërsa një litër qumësht në vitin 2024 ka qenë 1.21 euro, në tetor 1.25 euro, një litër jogurt një vië parë ka qenë 1.19 euro, në tetor 1.25 euro, po ashtu 30 copë vezë në 2024 kanë kushtuar 2.88 euro, në tetor ka arrit 3.82 euro, gjithashtu një litër vaj në 2024 ka qenë 1.47 euro, në tetor arriti 1.66 euro.

Gjithashtu sipas ASK-së, 1 kg sheqer më 2024 ka qenë 1.23 euro, në tetor të 2025 ka shënuar një rënie prej 1.19. Kurse, 1 kg kafe e bluar një vit më parë ka qenë 13.08 euro, në tetor ka arrit 15.62 euro, çaji 9.27, në tetor 9.45 euro, uji 1.5 litër 0.37 në 2024, në tetor 0.39 euro.

Ndërsa energjia elektrike (pa kosto fikse), 1 kwh në 2024 ishte 0.07 cent, ndërsa në tetor të 2025 0.08.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit në një mesatare në nëntor shënuan rritje prej 5. 3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Krahas të ardhurave mujore në Kosovë, sipas ASK-së, pensioni bazik në vendin tonë është 150 euro tani, paga minimale aktuliasht është 350 euro bruto dhe paga mesatare 639 euro për vitin 2024.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *