Mar. Dhj 23rd, 2025

Humb vëmendja për të drejtat e njeriut – Qelaj shpalos shqetësimin me dhunën në shkolla dhe shifrat, që nuk përputhen mes MASHT-it dhe policisë

Rekomandimet e Institucioni i Avokatit të Popullit nuk po gjejnë zbatim, madje ato kanë shënuar edhe rënie këtë vit e krejt kjo vlerësohet të ketë ndodhur për shkak të mungesës së institucioneve, kuvendit dhe qeverisë.

Në konferencën vjetore, Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka shpalosur disa nga shkeljet dhe ankesat e trajtuara, me ç’rast si shqetësues përmend faktin e shkeljes së drejtës për gjykim të drejt dhe të paanshëm, shkeljen e të të drejtës së personave me aftësi të kufizuara, por me theks nënvizon dhunën në shkolla e cila nuk po raportohet.

“Për nga numri i ankesave që kemi pranuar, ka të bëjë me shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Vazhdon trendi i njëjtë, thuajse me pak ndryshime, i zvarritjeve të procedurave gjyqësore dhe kjo e vështirëson qasjen në drejtësi për qytetarët dhe paraqet edhe sfidë për gjithë shoqërinë, sepse në mungesë të përgjigjeve nga administrata dhe zvarritjes së procedurave ligjore, qytetari mbetet në situatë pa zgjidhje dhe nuk e ndien dorën e shtetit për me i dalë në ndihmë kurdo që ka nevojë. Sa i përket statistikave, këtë vit ka pasur një rënie të zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga viti i kaluar. Përqindja e zbatimit në mënyrë të plotë është 18 për qind. Këtë e kemi pritur të ndodhë, duke pasur parasysh situatën e krijuar, por besoj se me krijimin e institucioneve dhe konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, situata do të ndryshojë dhe rekomandimet do të fillojnë të zbatohen dhe të arrijnë nivelin e vitit të kaluar, madje edhe ta tejkalojnë”, tha Qelaj.

Ndër gjetjet e Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) është edhe fakti se të drejtat e njeriut kanë humbur vëmendjen e institucioneve, duke e zhvendosur te sektori i sigurisë dhe krizat që po ndodhin.

“Ajo që institucioni i Avokatit të Popullit ka parë këtë vit është se të drejtat e njeriut kanë humbur vëmendjen e institucioneve dhe atyre që i bëjnë politikat. Kjo ka ardhur si rezultat i një trendi global që ka ndikuar edhe në Kosovë. Kryesisht, interesimi po zhvendoset nga të drejtat e njeriut te sektori i sigurisë dhe krizat që po ndodhin sot në botë. Kështu që, në çdo situatë jo të zakonshme, të drejtat e njeriut po goditen dhe aty po pësojnë qytetarët”, tregoi Qelaj.

E ndër problematikat e trajtuara është edhe ajo e me peshën e çantave të fëmijëve, për çka Qelaj thotë se nuk ka pasë interesim që të zgjidhet.

“Kemi dalë me një raport dhe kemi konstatuar problemin që kanë fëmijët me peshën e çantave, për të cilin deri sot nuk është se ka pasur interesim të madh për ta zgjidhur si problem. Ajo që ka dalë si konstatim nga ekspertët është se aktualisht pesha e çantave shkakton probleme shëndetësore për fëmijët dhe evitimi i kësaj problematike vjen me ndërtimin e dollapëve në shkolla ose me reduktimin e teksteve mësimore dhe kështu lehtësimin e peshës së çantave. Ndryshe, kjo është një problem me të cilin familjet po përballen në vazhdimësi”, nënvizoi Qelaj.

Një tjetër problematikë është paraqitur edhe ajo me dhunën në shkolla e ku rezulton që të ketë shpërputhje të statistikave nga ato që ka prezantuar Ministria e Arsimit dhe Policia e Kosovës për gjatë dhjetë vjetëve.

“Çështja e dytë lidhur me të drejtat e fëmijëve ka të bëjë me dhunën në shkolla. Raportet që ne kemi publikuar tregojnë një prezencë të shtuar të dhunës në shkolla, si mes moshatarëve, ashtu edhe mes nxënësve dhe stafit mësimor. Është shqetësues fakti që shkollat nuk i raportojnë rastet. Sipas të dhënave të MASHT-it për periudhën 2014–2024, pra për 10 vjet, shkollat kanë raportuar 272 raste të dhunës në shkolla, ndërsa sipas Policisë së Kosovës, për të njëjtën periudhë janë regjistruar 5 mijë e 652 raste. Një shpërputhje kaq e madhe e statistikave tregon seriozitetin e situatës dhe nevojën që në mënyrë urgjente Ministria e Arsimit dhe shkollat të marrin masa, fillimisht duke i raportuar rastet dhe më pas duke identifikuar shkaktarët që po nxisin këto dukuri. Raporti i tretë për të drejtat e fëmijëve ka të bëjë me shëndetin mendor të fëmijëve. Nuk ka një kornizë të qartë ligjore, sidomos për masat e parandalimit të hershëm të problemeve të shëndetit mendor. Ka mungesë të psikiatërve, mungesë të një protokolli që do të identifikonte në fazat e hershme të fëmijërisë problemet e kësaj natyre dhe mungesë të masave konkrete për trajtimin e tyre”, tregoi Qelaj.

Ai përmendi edhe shkeljet ndaj personave me aftësi të kufizuara.

“Një kategori tjetër e qytetarëve që vazhdojnë të ballafaqohen me padrejtësi janë personat me aftësi të kufizuara. Në tre vitet e fundit kemi bërë hetime dhe kemi dalë me shumë raporte sa i përket çështjeve kryesore të të drejtave që i gëzon secili person. Edhe këtë vit kemi parë vështirësi dhe probleme të shumta në gëzimin e këtyre të drejtave nga këta qytetarë. Kemi identifikuar probleme me të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe të drejtën për t’u zgjedhur. Në një rast kemi parë që Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka dërguar KQZ-së të dhëna të tilla që ua pamundësojnë qytetarëve të votojnë, ndonëse aftësia e votimit apo e drejta për të votuar nuk është hequr fare. Çështja e dytë që kemi adresuar ka të bëjë me reduktimin e tarifave elektrike për persona paraplegjikë. Skema e krijuar nga Qeveria ka dëmtuar dhe ka cenuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, për arsye se kriteret për reduktimin e tarifave të energjisë elektrike janë llogaritur mbi bazën e të ardhurave familjare dhe jo mbi bazën e faktit që një person është me aftësi të kufizuara. Ky kriter ka qenë diskriminues dhe i padrejtë, dhe si pasojë janë rrezikuar interesat e 2,354 personave, përfshirë 1,260 persona të verbër që do të mund të përfitonin nga lehtësirat”, tha mes tjerash ai.

Qelaj ka thënë edhe se si probleme është cështja se si institucionet e autorizuara nxjerrin aktet nënligjore e që shpeshherë, aktet nënligjore tejkalojnë ligjin, gjë që paraqet problem serioz.

Ai përmendi edhe rastin me pensionistët.

“Rasti i pensioneve është më i komplikuar dhe Gjykata Supreme duhet të dalë dhe ta sqarojë vendimin e saj, sepse ka krijuar konfuzion. Udhëzimi administrativ ka tejkaluar ligjin kur ua ka ndërprerë pensionet të moshuarve për shkak të moslajmërimit dhe nuk ua ka kthyer ato në mënyrë retroaktive kur kanë deklaruar se janë gjallë”, theksoi Qelaj.

Ndër tjerash vuri në pah edhe çështjen e trajtimit të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë e ku përsëriti se gjatë vizitës së tij ai është monitoruar edhe nga kamerat por edhe nga një roje sigurie.

“Për mua, si Avokat i Popullit, ka qenë shqetësuese ajo çka kemi gjetur atje. Ajo që ne kemi vërejtur është mënyra se si jemi trajtuar dhe fakti që vizitat janë kryer në rrethana të monitorimit të plotë. Jam lejuar vetëm unë dhe jo pjesa tjetër e stafit. Nuk më është lejuar të marr shënime, nuk kam pasur as letër e as laps. Kemi zhvilluar vetëm biseda dhe jo mundësi për të marrë shënime. Është shqetësuese që i gjithë procesi është vëzhguar me dy kamera dhe gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm edhe një roje sigurie në dhomën ku kam kryer intervistën me të paraburgosurit”, tha ai.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *