Mër. Mar 11th, 2026

Hoxhaj: Kurti dhe Osmani janë bashkëfajtorë për krizën politike në Kosovë

Ish-kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar ashpër situatën aktuale politike në Kosovë, duke e cilësuar atë si rezultat të një bashkëpunimi të dështuar mes kryeministrit Albin Kurti dhe ish-presidentes Vjosa Osmani.

Në një intervistë, Hoxhaj tha se koalicioni i krijuar në vitin 2021 ka prodhuar mungesë stabiliteti dhe kriza të vazhdueshme politike.

“Koalicioni i ‘shpresës’ i vitit 2021 ka prodhu një mungesë totale të stabilitetit të brendshëm, kriza politike, drama personale. Kur po i shoh këto dramat personale të një divorci politik, se kush kë e tradhëtoi dhe kur e pash intervistën e znj. Osmani, ku nga fillimi deri në fund i dëgjon tri fjalë: komplot, puç, konspiracion. Me thënë të drejtën kjo nuk është më gjendje politike, kjo është gjendje psikologjike. Fjala puç, fjala komplot dhe fjala konspiracion flasin për paranoja”, deklaroi Hoxhaj.

Ai tha se situata e krijuar politike po e dëmton drejtpërdrejt qytetarin dhe po e shkatërron besimin në politikë.

“Kësi drame, paranojash, kësi traume e cila po e lodh qytetarin e Kosovës, e cila po e varfëron qytetarin e Kosovës, e cila në fakt po e shkatërron çdo koncept se për çka qëndron politika”, u shpreh ai.

Sipas Hoxhajt, vendi tashmë po përballet me një krizë të thellë shtetërore dhe mungesë të qartë drejtimi për të ardhmen.

“Jemi duke u përballë me një gjendje ku vitin e kaluar kishim një krizë të mirëfilltë shtetërore dhe tash kemi hy në një krizë të madhe shtetërore. Unë nuk po shoh se si ky binom që e ka drejtu Kosovën që të ofrojë një qasje të arsyeshme e racionale se çfarë do të ndodhë gjatë javëve të ardhme, gjatë muajve të ardhshme, gjatë viteve të ardhshme dhe ku do të jetë Kosova”, tha ai, në Frontal në T7.

Në fund, Hoxhaj theksoi se përgjegjësia për situatën aktuale bie mbi Kurtin dhe Osmanin, ndërsa shtoi se PDK do të udhëheqë krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të ardhshme, kurdo që mbahen ato.

“Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë që bashkëfajtorë për këtë situatë të një krize të re politike është Kurti dhe Osmani. Unë jam mëse i bindur që kurdo që të mbahen zgjedhjet, PDK do të jetë ajo që do të udhëheq procesin e krijimit të institucioneve të reja”, deklaroi Hoxhaj.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *