Sot shënohen 25 vjet nga rrëzimi i regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviqit, ngjarje kjo, shkroi Enver Hoxhaj, që shënon fundin e një epoke të errët në historinë e Ballkanit, por jo edhe mbylljen e plagëve që ai regjim la pas.
Në një postim në Facebook, deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka kujtuar se regjimi i Millosheviqit shkaktoi luftëra, gjenocid dhe shkatërrim në gjithë rajonin, ndërsa ka theksuar se Serbia, në vend që të përballet me të kaluarën, sot vazhdon ta glorifikojë atë.
“Sot Serbia udhëhiqet nga figura që ishin pjesë e atij regjimi,” ka shkruar ai, duke shtuar se Beogradi po përpiqet të luajë rolin e satelitit të Rusisë në Ballkan dhe të sfidojë rendin euroatlantik.
Sipas Hoxhajt, përgjigjja e Kosovës ndaj këtyre përpjekjeve duhet të jetë forcimi i shtetit, sigurisë dhe institucioneve demokratike. Ai ka theksuar se partneriteti me SHBA-në, NATO-n dhe aleatët evropianë mbetet garancia e vetme për paqe, qëndrueshmëri dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës në rendin e ri ndërkombëtar.