Ish-ambasadori amerikan, Christopher Hill, që filloi dëshminë të hënën, më 10 nëntor, do të dalë edhe sot përpara Gjykatës Speciale.
Ndërkaq, nga fundi i javës pritet të dëshmojë edhe një dëshmitar tjetër.
Ish-komandanti i NATO-s Wesley Clark është planifikuar të fillojë dëshminë të martën e javës që vjen, më 18 nëntor.
Për dëshminë e tij janë planifikuar seanca edhe më 19 dhe 20 nëntor, ndërsa 21 nëntori është planifikuar si ditë rezervë, në rast nevoje.
Sipas njoftimit zyrtar të Dhomave të Specializuara në Hagë, të gjitha seancat e javës që vjen aktualisht janë planifikuar të fillojnë në orën 09:00 dhe pritet të jenë kryesisht publike.
Seancat mund të ndiqen në të tri gjuhët e Gjykatës – shqipe, serbishte dhe anglishte – përmes faqes së internetit të DHSK-së, me 45 minuta vonesë.
Kujtojmë se Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për këtë javë dhe javën tjetër janë planifikuar seancat gjyqësore ku do të dëshmojnë blloku i fundit i dëshmitarëve të Mbrojtjes në këtë çështje gjyqësore.

