Hën. Mar 23rd, 2026

Haradinaj kritikon partinë në pushtet: Kosova s’është e varfër, por e keqqeverisur

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar për gjendjen politike dhe ekonomike në vend, duke vlerësuar se Kosova po përballet me një periudhë të gjatë jonormaliteti institucional, ndërsa qytetari po bart pasojat kryesore.

Shkrimi i plotë:

E dhimbshme kur jo normaliteti shndërrohet në mënyrë jetese.

Kur vendi qeveriset për një vit të tërë, në kundërshtim me krejt normat ligjore e kushtetuese.

Kur bëhemi vendi i vetëm me parlament të zgjedhur, por të pezulluar.

Kur temat politike bëhen kryefjalë e debatit publik dhe qitet në harresë jeta e njeriut të zakonshëm.

Atij njeriu, i cili detyrohet të gjejë strehë ekzistence nëpër botë e atje të kryejë punë të rënda, që jo rrallë i kushtojnë edhe me jetë, siç ishte rasti i tre qytetarëve fatkeqë që humbën jetën në një vendpunishte në Vjenë.

Më nuk po flasim për vargun e njerëzve që po e braktisin Kosovën. Për ata që nuk e lidhin fillimin me fundin e muajit. Që tryezën e kanë përditë e më të varfër. Për pushtetin që e shtrenjton rrymën sa herë që i teket. Për zhgënjimin e prindërve me sistemin shkollor të fëmijëve të tyre. Për të sëmurët që shërimin e kanë të papërballueshëm.

E dhimbshme se si ndihmat prej 100 eurosh në prag të zgjedhjeve, që nuk janë më shumë se sa lëmoshë, po shndërrohen në mrekullinë e “çudibërësit”.

Si ndodhi që u zhdukën nga fjalori e preokupimi ynë investimet kapitale apo investimet e huaja? U harruan qindra tenderë njëburimorë, apo projektet e filluara vite më parë e që nuk po përfundojnë.

Ata që nuk janë të zotët të kryejnë punë, zakonisht arsyetohen se Kosova nuk është Zvicër as Gjermani, por sa u përket çmimeve, shpeshherë jemi më Zvicër e Gjermani se sa ato vetë.

Jemi i vetmi vend që brenda një viti i mbajmë katër palë zgjedhje dhe ku e bllokojnë zgjidhjen e na çojnë prapë në zgjedhje. Ku një parti politike e vetme, veç për propagandë, shpenzon mbi 4 milionë euro për zgjedhje e shumë miliona të tjerë nga ata që janë të obliguar t’i organizojnë zgjedhjet, të gjitha këto para të taksapaguesve.

Në gjithë këtë periudhë kohe të jonormalitetit politik e institucional, viktima e vetme ka qenë qytetari i Kosovës. Ai është varfëruar, ai është përballur me sfidën e mbijetesës, ai ka emigruar…

Prandaj sot është koha që ai ta marrë fatin në duart e veta. Këtë gjendje të rënduar mund ta ndryshojë vetëm sovrani dhe kjo bëhet vetëm duke ndëshkuar fajtorët për gjendjen në të cilën është.

Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur. Këtu mund të sigurohet e ardhmja e sigurt jo vetëm për ne që jetojmë këtu, por edhe për ata qindra mijëra qytetarë që sot janë në diasporë.

Unë kam shpresë për ditë më të mira!

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *