Ish-këshilltari i lartë amerikan James Rubin, në dëshminë e tij në Hagë, ka pohuar se Ramush Haradinaj kishte komunikime të drejtpërdrejta me CIA-n prej vitesh gjatë luftës në Kosovë.
Duke u ndalur te kjo çështje në emisionin “Rubikon” me Adriatik Kelmendin, panelistët u shprehën se pas kësaj dëshmie shumë njerëz tani i besojnë më shumë deklaratave të tij publike të katër viteve të fundit, sidomos atyre për kryeministrin Kurti, pasi tashmë po del se ka pasur kontakte të hershme me CIA dhe besohet se vazhdon të ketë informacione edhe sot.
Në përgjigjen e tij, Haradinaj tha se komunikimi me institucionet amerikane ka qenë i pandërprerë, që nga përgatitjet e luftës e deri më sot. Ai tregoi se detyra e tij ka qenë të thoshte të vërtetën për historinë personale, për familjen dhe për qëllimet e luftës, duke theksuar se bëhej fjalë për një luftë çlirimtare dhe jo për orientime ideologjike.
“Jam krenar që kam pasur këtë komunikim direkt. Kam lindur në një familje patriotike, por një pjesë të patriotizmit e kam mësuar edhe nga ata, nga përkushtimi i tyre, si i shërbejnë vendit dhe ndihma që i kanë dhënë vendit tim. Edhe unë, edhe fëmijët e mi, do të ishim të gatshëm të bënim çdo sakrificë për institucionet e Amerikës, qoftë edhe kur është në pyetje jeta”, u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se lidhja e Kosovës me Amerikën është “lidhje gjaku”, pasi me ndihmën e SHBA u shpëtuan shumë jetë në kohët më të vështira, duke e cilësuar këtë komunikim si një ndër nderet më të mëdha të jetës së tij.