Mër. Dhj 17th, 2025

Hapet fushata, shumë premtime

Për herë të katërt brenda këtij viti, Kosova gjendet në fushatë elektorale.

Ashtu sikurse ndodhi për zgjedhjet e muajit shkurt, edhe kësaj radhe partitë po kërkojnë besimin e qytetarëve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Partitë politike ndër premtime kryesore kanë rritjen e pagave, por edhe mbështetjen për kategoritë më të ndjeshme.

Lëvizja Vetëvendosje premtoi rritje të mëtejshme të pensioneve dhe mbështetje për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së. Bashkë me rritjen e pagës minimale, Kurti premtoi pagën e 13 për të gjithë shërbyesit civilë në fillim të vitit të ardhshëm. Ai nuk harroi investimet në ushtri, shkruan A2.

“Në mandatin që na pret do të investojmë edhe 1 miliard euro të tjera në armatim dhe pajisje moderne ushtarake ashtu që kushdo që mendon se mund të na sulmojë të mendojë dy herë e kur e mendon dy herë e le krejt”, tha Kurti.

Partia Demokratike premtoi se pagat deri në 400 euro nuk do të tatohen, ndërsa lehtësria edhe për taksat ndaj bizneseve dhe të pronës. Hamza zotohet se do të përfundojë projektet infrastrukturore ndërsa do të angazhohet për anëtarësim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare: “Ne do të rrisim pagat dhe pensionet. Do të ketë rritje të pagave 50% mbi pagën aktuale, për mësues, arsimtarë, policë, zjarrfikës, mjekë, ushtarë dhe për të gjitha ata që marrin paga përmes buxhetit të Kosovës”.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës në programin e saj ka paraparë rritje të koeficientit në 150 euro për mbi 80 mijë të punësuar në administratën publike. Abdixhiku tha se çdo të diplomuari në Kosovë do t’i garantohet punësimi për 6 muajt e parë me pagë të subvencionuar nga shteti prej 500 eurove në muaj: “1000 euro pagë për mësuesin e vendos këtë kategori fisnike shumë, shumë përpara para vendeve të tjera në rajon. U drejtohem policëve të Kosovës, zjarrfikësve, ushtarëve të Kosovës me zotimin e plotë se paga bazë për ta nën qeverisjen tonë do të jetë 900 euro në muaj”.

Fushata elektorale në Kosovë do të zgjasë deri ditën e votimit, ndërsa garojnë 24 subjekte politike me mbi 1800 kandidatë për 120 vende në Parlament.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *