Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka përmbledhur në një postim të shkurtër në Facebook, vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai tha se nga atje u kthye shumë pozitiv në Kosovë, për mundësitë e pashtershme të bashkëpunimit mes vendit tonë dhe SHBA-së.
Postimi i plotë:
Dje e përfundova vizitën time të shkurtër dyditore në Washington D.C. Agjenda ishte intensive dhe e konsiderova jetike të paraqisja vizionin tim për zhvillimin e republikës sonë dhe rindërtimin e partneritetit të thellë mes Kosovës dhe administratës amerikane.
Pas takimeve me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit, isha i ftuar edhe në një takim përmbajtësor nga James Carafano, i sapoemëruar këshilltar i lartë i presidentit dhe E.W. Richardson Fellow pranë fondacionit “Heritage”, institucion i njohur për afërsinë dhe angazhimin në programin qeverisës së presidentit Trump. Në takim ishin edhe Anthony Kim, redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike dhe menaxher i angazhimit global në qendrën për liri “Margaret Thatcher”, si edhe Max Primorack, ekspert i lartë i çështjeve të sigurisë në këtë fondacion.
U ktheva jashtëzakonisht pozitiv për mundësitë e pashtershme të bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së, pas një periudhe të vështirë të mungesës së komunikimit dhe pezullimit të dialogut strategjik.
Kosova do të kthehet në Washington më e fortë se kurrë, me projekte konkrete, me investime të prekshme dhe me përfshirjen e SHBA-së në zhvillimin e hovshëm të Kosovës në diplomaci, ekonomi, sektorin e energjisë, ushtri dhe inteligjencë

