Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka vlerësuar se shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë ende po i vuajnë pasojat e komunizmit.
Ai ka bërë me dije se një gjë të tillë e tregon mbështetja absolute që po marrin partitë e majta.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se partitë opozitare nuk po tregohen të suksesshme në sfidimin e pushteteve nga partitë e majta.
“Tash e pesë vjet, në Kosovë i gjithë pushteti ekzekutiv dhe legjislativ është në duart e një partie, Lëvizjes Vetëvendosje (VV). Opozitë ka pasur, por nuk ia ka dalë, përkundër përpjekjeve, që ta sfidojë pushtetin e Vetëvendosjes që i ka për vete efektivisht të trija institucionet kryesore – Presidencën, Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës – pushtetin që nuk e pranon konceptualisht ndarjen e pushteteve, një nga premisat e rendit demokratik perëndimor. Mbasi e mori pushtetin, siç e kërkoi më 2021, “Krejt dhe drejt”, Vetëvendosja i sulmon gjyqësorin dhe mediat e pavarura, dy pushtete që nuk i ka dalë t’i nënshtrojë”, ka shkruar ai, duke shtuar se situatë e ngjashme edhe në Shqipëri.
“Situatë e ngjashme, ndonëse më gjatë se në Kosovë, është në Shqipëri ku të githë pushtetin e ka Partia Socialiste. Si në Shqipëri, si në Kosovë, pushtetin absolut me vite e kanë partitë e majta. Në rastin e Shqipërisë, trashëgimtarja e partisë komuniste. Në Kosovë dhe në Shqipëri, shqiptarët i vuajnë ende pasojat e komunizmit”, ka shkruar ai.

